MENU
klinika

Nga New York Times

Populistët janë edhe globalistë…

22.10.2018 - 15:59

Trump dhe të tjerët kërkojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe parave, por jo të njerëzve.

Në një fjalim të kohëve të fundit në Kombet e Bashkuara, Presidenti Trump u shpreh se është kundër “ideologjisë së globalizmit” dhe “burokracisë globale të panevojshme dhe të papërgjegjshme”.

Për ata që kanë jetuar në vitet 1990, ka një ndjenjë të frikshme déjà vu. Atëherë pati gjithashtu, protesta kundër institucioneve globale dhe vendimmarrjes demokratike. Pati shumë njerëz që ndihmuan në mbledhjen e Organizatës Botërore të Tregtisë në Seattle në vitin 1999.

Lëvizja bëri thirrje për një lloj tjetër globalizimi më të vëmendshëm ndaj të drejtave të punës të pakicave, dhe barazisë ekonomike. Dy dekada më vonë, gjurmët e asaj lëvizjeje janë të vështira për t’u gjetur. Por diçka e habitshme ka ndodhur ndërkohë. Një version i ri i globalizimit ka “fituar terren”.

Shpesh dëgjojmë se politika botërore është e ndarë midis shoqërive të hapura kundrejt atyre të mbyllura, midis globalistëve dhe nacionalistëve.

Presidenti Trump dhe një grup njerëzish të tjerë nuk duan fundin e globalizimit apo braktisjen e tij, por një formë alternative. Ata duan qarkullim të fuqishëm tregtar dhe financiar, por tregohen të ashpër për sa i përket migrimit. Lëvizja për mallrat dhe paratë do të mbetet e lirë, por për njerëzit jo.

Lufta aktuale e tregtisë së Shteteve të Bashkuara është një çështje e rëndësishme. Komentatorët ankohen se zoti Trump po shkel rregullat që vetë Amerika i vendosi më shumë se 80 vjet më parë.

Në Britani, fushata e Brexit u ndërtua me kërkesën për të marrë kontrollin për çështje  si për shmebull migrimin. Tërheqja nga tregu i përbashkët nuk ishte në program. Pothuajse të gjitha negociatat kanë qenë përkrahëse të një vizioni në të cilin mund të ruhet qarkullimi i lirë i mallrave dhe parave.

Modeli i këtij globalizimi shfaqet disi edhe në Gjermani e Austri, ku asnjë nga partitë nuk pretendon refuzimin e globalizimit ekonomik.

Shumë njerëz, duke përfshirë edhe mendimtarin anarko-kapitalist, ekonomisti gjerman Hans-Hermann Hoppe, besojnë se homogjeniteti kulturor është parakusht për rendin socio-ekonomik. Z. Hoppe parashikon një shpërbërje të hartës aktuale të shteteve në mijëra njësi të vogla me përmasat e Hong Kongut, Andorrës dhe Monacos pa qeveri përfaqësuese dhe të sunduar vetëm me kontratë private.

Ashtu si Hong Kongu dhe Singapori, këto zona nuk do të izoloheshin, do të ishin të lidhura me njëra-tjetrën, financat dhe tregtia nuk do të kishin aspak lidhje me demokracinë (e cila do të pushonte së ekzistuari), por fuqia e tregut do të vendoste.

Njerëzit që mbështesin idenë për këtë lloj globalizmi, bashkohen dhe “dënojnë” strukturat e qeverisjes shumëpalëshe.

Në vend të kësaj, ata vënë në pikëpyetje aftësinë e çdo vendi dhe çdo popullsi për të praktikuar kapitalizmin demokratik dhe, në shumë raste, propozojnë një largim nga vetë kapitalizmi demokratik i status quos.

Formula e këtij lloji të globalizimit është e qartë. Ai i thotë “Po” tregtisë së lirë por  “Jo” migrimit të lirë, demokracisë, multilateralizmit dhe barazisë mes njerëzve.

Quinn Slobodian, profesor i historisë në Wellesley College, është autor i “Globalistët: Fundi i Perandorisë dhe Lindja e Neoliberalizmit”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Pasojat e globalizmit