Lufta nëpërmjet dëshmive apo dëshmitarëve të rremë, të rrejshëm, me nivel të ulët besueshmërie publike, ka marrë një dimension tjetër, kur, ndërsa prokuroria ka filluar çështje penale ndaj të ashtuquajturit “Babale”. Palët po ofrojnë regjistrime të fshehta për t’i diskredituar dëshmitarë që dhe pa to, e kanë të ulët besueshmërinë. Kjo në telekronikën, apo në telenovelën e luftës politike në Shqipëri, është një element i cili nuk krijon ndonjë surprizë dhe madje është i ngjashëm si aksion politik, është një Déjà Vu e parë edhe në raste të tjera.
1. Déjà vu e protestës eventuale të 21 janarit
Po të shikosh kuadrin tërësor të ngjarjeve, nëqoftëse do t’i besojmë asaj që është teorema e prokurorisë dhe asaj që mbështetet deri diku edhe nga Partia Socialiste, nëpërmjet inskenimit apo fabrikimit të një bisede me vëllain e Ministrit të Brendshëm Xhafa, ( për të vënë në lëvizje një linjë trafiku droge) dhe publikimit të saj, do të synohej organizimi i një proteste të madhe e cila do të rrëzonte qeverinë. Kjo është një Déjà vu e vënë re, ndonëse qëllimet e para të saj, qëllimet e ideatorëve janë paksa të ndryshme, me protestën e vitit 2011-të, të kryer nga Partia Socialiste me sebepin e regjistrimeve të kryera në dëm të presidentit të sotshëm dhe asokohe kryetarit të LSI-së, zotit Meta.
Pra është një përpjekje e ngjashme për nga qëllimet, që ndonëse me siguri i ndjeri Dritan Prifti atëherë nuk e kishte menduar që do të shkonte e gjitha në protestë, si teknikë realizimi është e ngjashme.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të zbulohet se “kush ka të drejtë”, pasi kjo është një sfidë fyese për inteligjencën e dikujt që pretendon që ka një gjykim të pavarur për proceset, për njerëzit, për faktet. Pse është një sfidë e tillë?
Sepse praktikisht krijimi i narrativave, domethënë i rrëfimeve apo i rrëfimit të vetëm i cili fajëson njërën palë apo palën tjetër, është diçka dominante në jetën publike, në jetën politike të vendit ku nuk kursehet asnjë mjet. Pra secila palë ofron narrativën e vet, e cila tenton të shndërrohet në një mainstream, në një rrymë kryesore mendimi, të cilën do të duhet ta besojë opinioni publik, por në rastin më të mirë mobilizon, apo është e besueshme vetëm për njërin krah, vetëm për militantët e njërit krah të jetës publike në vend. Militantë aktivë në protesta, në facebook, apo kudo në hapësirën publike.
Në këtë kuptim, vendi, hapësira publike dominohet vetëm nga dy narrativa. Dominohet nga dy rryma kryesore të mendimit, veprimit, të cilat pra hartohen, formësohen pikërisht nëpërmjet këtyre historive të servirura nëpërmjet personazheve të vërtet apo të rrejshëm si ata që po shohim në rastin e “Babales” nga kuzhina të caktuara. Natyrisht dikur aktivizohen dhe institucionet.
Në rastin konkret megjithatë duhet thënë që përdorimi i personazheve të rrejshëm, apo personazhe me besueshmëri të kufizuar publike, mund të ketë shërbyer siç thotë deputeti Salianji, luftës kundër korrupsionit, apo betejave të tjera publike. Për të justifikuar protagonizmin e vet, ai sjell një citat prej Falcones apo Borselinos, që e përdor me njëfarë vetëbindje lidhur me luftën ndaj mafias, ku dëshmitarët apo bashkëpunëtorët e drejtësisë nuk gjenden mes murgeshave apo priftërinjve, por gjënden pikërisht në mes të kriminelëve.
Por problemi është që njëri krah i politikës, qoftë opozita, qoftë pozita, nuk munden që t’’i marrin atributet e institucioneve shtetërore. Dëshmitarët, mbrojtjen e tyre, inskenimet me ta, mund t’i përdorin vetëm institucionet e autorizuara, mund t’i bëjë vetëm prokuroria.
Vetëm prokuroria është institucioni i cili i nënshtrohet më së fundmi shqyrtimit gjyqësor të themelësisë të veprimit të saj.
Vlera elektorale e inskenimeve
Inskenimi nëpërmjet dëshmitarëve të vërtetë apo të rrejshëm që i bën njëri krah i politikës, mund të ketë vlerë propagandistike, mund të motivojë njërin kamp, pjesën më të bindur, më militante të opinionit publik të krahut të vet, por vetëm kaq.Edhe vlera elektorale është e kufizuar dhe aq më tepër nuk mund të imagjinohet që të krijohen rrethana të ngjashme me ato të protestës së 2011-tës, për të formësuar pra një masë kritike qytetarësh të cilët të revoltuar do të aktivizohen për të rrëzuar qeverinë nëpërmjet një proteste të dhunshme.
Ky është momenti i parë me vlerë juridike që ia vlen të evidentohet. Dëshmitarët e rrejshëm apo të vërtetë, nëpërmjet inskenimeve të tilla, regjistrimeve të tilla të cilat nga pikëpamja juridike nuk janë prova, por janë mjete për të shkuar te prova, përfaqsojnë një mjet, një instrument lufte politike e cila nuk prodhon vota. Thjesht dhe vetëm kompaktëson njërin kamp politik, nëpërmjet motivimit të militantëve, të cilët ushqejnë edhe ata narrativën e tavolinave të tyre sociale, pra e Facebookut apo e tavolinave të tyre reale nëpër baret që frekuentojnë, për t’i mbushur mëndjen vetes se pala tjetër përballë është kështu apo është ashtu.
Konstatimi i dytë: lloji i instrumentit nga pikëpamja juridike që përdoret për të atakuar palën tjetër. Pala e akuzuar pretendon se ndaj saj po përdoren shpifje. Shpifja si kategori, si krim në kodin penal parashikohet në nenin 120 dhe dënohet në rastin më të mirë me gjobë dhe në rast se ka bashkëpunim apo pasoja të rënda mund të dënohet me një vit burg.
Kështu që jemi pra në kushtet e përdorimit të qelbësirave, të ndyrësirave siç janë disa që marrin guximin edhe ta shkruajnë se çfarë janë, duke shfaqur fytyrën e tyre për të atakuar palën tjetër, pa i hyrë gjemb në këmbë, pra në kushtet kur dënimi i parashikuar në kodin penal është një dënim i kufizuar dhe vetëm me gjobë.
Për këtë arsye lufta politike nëpërmjet shpifjes është bërë kaq e zakonshme në jetën tonë politike. Kjo është një Déjà vu e cila e ka mbërthyer jetën politike të vendit tonë, duke ja hequr asaj fantazinë, sigurisht duke ushqyer një pjesë të mediave që e preferojnë këtë lloj lufte politike sepse kjo krijon klikime, krijon vëmendje publike relativisht të madhe, por ndërkohë nuk prodhon rotacion, nuk prodhon ndryshim. Shpifja është në themel të denoncimit publik, i cili bëhet ose nëpërmjet zëdhënësve aktivë, ose nëpërmjet qytetarit digjital. Me gjasë brenda krundeve gjenden dhe kokrra gruri. Por kjo lloj politike është e paprecedent në rajon.
Berisha dhe kopia e zbehtë e tij
Ka edhe një element tjetër, që tejkalon, që kapërcen përbërësen juridike të kësaj lloj lufte politike. Lojtari më i fuqishëm i cili ekzekuton, i cili e vë në lëvizje këtë lloj lufte politike në vend, mbështetur tek denoncimi publik, i vërtetë apo i rrejshëm është zoti Berisha, i cili ka krijuar një mekanizëm të fuqishëm, të cilit i jep besueshmëri: ashtuquajturi “Qytetari digital”, i cili në fund të fundit nuk është gjë tjetër veçse modernizimi i sistemit të dikurshëm të letrave anonime që përdoreshin në kohën e komunizmit apo që në kohëra më të hershme, duke i dhënë besueshmëri, duke e personalizuar atë.
Një mekanizëm i tillë ka rëndësi relative dhe aq më tepër nuk mund të fitojë rëndësi më të madhe edhe nëse modifikohet. Sot akuza ndaj kundërshtarit brenda PD zyrtarisht (Berisha nuk është tashmë përfaqsues zyrtar i partisë) vihet në lëvizje nëpërmjet deputetëve të rinj, të cilët janë në kërkim të një karriere të shpejtë. Këta deputetë marrin përsipër ndonëse janë të rinj, ndonëse nuk kanë autoritet brenda strukturave të Partisë Demokratike, që të ekzekutojnë eventualisht, apo që të ideojnë skema të tilla të atakimit të kundërshtarit. Pra është një skemë alternative e atyre që më së shumti i ka përdorur zoti Berisha. Në këtë kuptim nuk pritet që të ketë më shumë sukses sesa nga Berisha, edhe nëse përdoret nga ndonjë deputet i ri, ndonëse më i besueshëm, ndonëse më i pakonsumuar politikisht siç është zoti Salianji.
Alternativa reale është diçka tjetër
Rotacioni nuk mundësohet domosdoshmërisht duke marrë me të mirë LSI-në, siç thoshte një deputet i sinqertë i Partisë Demokratike nga Shkodra, kur pohonte se: “ ne e mbajmë afër LSI-në sepse nëqoftëse nuk e mbajmë afër ajo do të kalojë nga Partia Socialiste”. Ai mundësohet duke patur më shumë besim në inteligjencën e elektoratit, duke marrë më shumë në konsideratë preferencat e tij, duke dhënë një ofertë politike e cila të jetë më e artikuluar, të jetë më inteligjente, të jetë më gjithëpërfshirëse, të jetë më moderne dhe që të kapërcejë qoftë origjinalin, qoftë kopjen e këtij stili të të bërit politik.
Në luftë pra për të fituar simpatinë e përgjithshme, për të arritur atë masë kritike që siguron rotacionin, ndonëse fenomeni i blerjes së votave është një fenomen real që e kanë ushtruar të dyja krahët e politikës, duhet synuar kah mundësimi i një oferte politike që është tërheqëse edhe për pjesën gri, është tërheqëse edhe për djemtë e rinj, edhe për vajzat e reja. Duhet rishpikur vetja, duke u modernizuar në propagandë. Brezi i ri nuk ndikohet nga modele të vjetra agresive propagandistike. Ai peshon elektoralisht.Nëqoftëse opozita do të sigurojë një ofertë propozuese, që e kapërcen këtë model të atakimit të palës tjetër si e përmendëm më lart, ofertë tërheqëse, krahas denoncimit të problemeve, dhe dukurive negative, duke evidentuar edhe nëpërmjet shembujve varfërimin e popullsisë në masa të gjera, atëhere mund të arrihet masa kritike që siguron rotacionin.