MENU
klinika

Nga New York Times

Pse brazilianët po bëjnë zgjedhjen e gabuar?

23.10.2018 - 16:47

Jair Bolsonaro është një brazilian i krahut të djathtë mepikëpamje të neveritshme.

Ai ka thënë se nëse do të kishte një djalë homoseksual, ai do ta preferonte atë të vdekur, se afro-brazilianët janë dembelë dhe të shëndoshë. Ai është shprehur se është nostalgjik për gjeneralët dhe torturuesit që udhëhoqën Brazilin për 20 vjet.

Të dielën e ardhshme, në raundin e dytë të votimit, Bolsonaro ka të ngjarë të zgjidhet president i Brazilit.

Pas kësaj perspektive të frikshme është e njëjta histori që është bërë alarmante edhe për shumë demokraci të tjera në vende të ndryshme të botës. Brazili po del nga recesioni më i keq ndonjëherë; një hetim i gjerë i quajtur Operacioni Car Wash ka zbuluar korrupsionin e pazakontë në qeveri; një ish president i njohur, Luiz Inácio Lula da Silva, është në burg për korrupsion; pasardhësja e tij Dilma Rousseff është pezulluar; krimi është shfrenuar, etj.

Brazilianët janë të dëshpëruar për ndryshim.

Në këtë sfond, pikëpamjet brutale të zotit Bolsonaro interpretohen si tepër të sinqerta, karriera e tij si kongresmen shihet si shpresë për fundin e një periudhe goxha të keqe në Brazil, me një mesatare rekord prej 175 vrasjesh një ditë vitin e kaluar.

Duket si situatë e njohur? Ai është i fundit në listën e gjatë të populistëve që kanë kaluar një valë pakënaqësie, zhgënjimi dhe dëshpërimi në secilin prej vendeve të tyre.

Jo çuditërisht, ai shpesh përshkruhet si Donald Trumpi brazilian.

Nëse Bolsonaro shkon në pallatin presidencial, një humbës do të jetë mjedisi, dhe në mënyrë specifike pyjet Amazon, të njohur si “mushkëritë e tokës” për rolin e tyre në absorbimin e dioksidit të karbonit.

Bolsonaro ka premtuar të heqë shumë nga mbrojtjet për pyjet tropikale për të hapur më shumë toka për agrobiznes. Ai ka thënë se do të tërhiqet nga marrëveshja e klimës së Parisit.

Nuk është vetëm mesazhi “Mish, Bibël dhe Plumb” që e ka bërë më popullor Bolsonaron. Da Silva mbeti një kandidat i fortë pavarësisht nga burgosja e tij derisa Gjykata e Lartë vendosi në gusht se ai nuk ishte i aftë të kandidonte. Zëvendësues i tij u zgjodh Fernando Haddad, një ish-profesor, ministër i arsimit dhe kryetar i São Paulo. Ndonëse Haddad mbijetoi në raundin e parë të votimit, sondazhet thonë se ai mbetet shumë prapa Bolsonaros në raundin e dytë.

Zgjedhja i përket brazilianëve. Por është një moment shumë i trishtë për demokracinë, sepse çoroditja dhe zhgënjimi i shtyjnë votuesit t’iu hapin derën populistëve mizorë dhe të pabindur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Po përmbyset sundimi i ligjit

Fundi i demokracisë së Brazilit….

Peisazhi politik po ndryshon

Pse në Brazil po shtohet radikalizmi?