Duke qenë se sekretari i shtetit Mike Pompeo ka qenë i zënë duke u marrë me Korenë e Veriut, Iranin dhe, tani, krizën e zhdukjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi, politika amerikane në Evropën Qendrore dhe Lindore është “dorëzuar” tek një akademik që deri në emërimin e tij një vit më parë nuk kishte përvojë si një diplomat amerikan.
Që kur u bë asistent sekretar i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike vjeshtën e kaluar, A. Wess Mitchell ka hedhur poshtë politikat e kohës së Obamës që përqëndrohej në shkeljet e të drejtave të njeriut në vende si Hungaria dhe ka “përqafuar” një politikë që i sheh qeveritë autoritare si partnerë potencialë.
Shumë njerëz mendojnë se kjo është një mënyrë e mirë për të nxitur këto vende të qëndrojnë larg nga Rusia.
Mitchell është një i emëruar politik, por ai nuk ka përvoja të mëparshme në politikë.
Para se të vinte në Departamentin e Shtetit, ai ishte pjesë Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane, apo CEPA, një organizatë jo-fitimprurëse në Uashington, e fokusuar në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Rusinë. Ai kishte qenë në institucion që nga viti 2006, së pari si drejtor i hulumtimit dhe më pas si kryetar i saj.
Ai flet gjermanisht dhe ka marrë doktoraturën në shkencat politike nga Universiteti i Berlinit. Shkurt, ai e ka ndërtuar karrierën e tij duke hulumtuar, duke menduar dhe shkruar rreth Evropës, dhe në veçanti Evropës Qendrore dhe Lindore.
Mitchell u konfirmua nga Senati në fund të shtatorit 2017.
Tani ai është padyshim diplomati më i lartë në administratën Trump, i fokusuar ekskluzivisht tek Evropa dhe Eurasia, një rajon që është shndërruar në një lloj tavoline shahu gjeopolitike.
Merrni, për shembull, rastin e Hungarisë, që në vitet e fundit ka goditur organizatat qytetare, mediat e pavarura, emigracionin dhe ata që do të ndihmonin migrantët dhe azilkërkuesit dhe që ka luftuar publikisht me Bashkimin Evropian.
Prej 2012, nuk ka pasur takime mes zyrtarëve të administratës së Obamës dhe homologëve hungarezë, dhe kjo vazhdoi deri më vonë edhe me administratën e Trump.
Por pastaj, në fund të majit 2018, Ministri i Jashtëm Peter Szijjarto erdhi në Uashington dhe u takua me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe këshilltarin e sigurimit kombëtar John Bolton.
Në fund të vitit 2017, Ukraina miratoi një ligj që ndalonte mësimin e gjuhëve të pakicave. Ligji ndikoi në mësimin e pakicës së konsiderueshme hungareze në Ukrainë. Gjatë vitit 2018, tensionet midis Ukrainës dhe Hungarisë u përkeqësuan, duke lënë udhëheqësit perëndimorë të shqetësuar se Budapesti, tashmë miqësor me Moskën, do të bllokonte rrugën e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Kështu Mitchell organizoi takimet mes Szijjarto dhe Pompeo dhe Bolton.
Por aktivistët për të drejtat e njeriut argumentojnë se strategjia më praktike nuk ka funksionuar.
Zselyke Kayy, drejtoreshë hulumtuese për Evropën dhe Euroazinë në Freedom House, një grup advokimi në Uashington tha “Nëse SHBA-ja me të vërtetë dëshiron të kundërshtojë ndikimin rus dhe kinez, më e mira që mund të bëjë është që të sigurohemi që vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë demokraci të forta”.
Hungaria nuk është vendi i vetëm me të cilin Mitchell ka ndryshuar marrëdhëniet. Ai gjithashtu, sipas burimeve, favorizon mbështetjen e SHBA për mundësinë që Serbia dhe Kosova mund të bien dakord për një shkëmbim toke ose rregullim kufitar.
Për vite me radhë, biseda për rregullimin e kufijve apo shkëmbimin e tokës është shoqëruar me shqetësimin se lëvizja e kufijve në Ballkan do të sillte akoma më shumë dhunë në Kosovë. Ka pasur gjithashtu shqetësime se një rregullim apo ndarje kufitare do të fuqizonte të tjerët në rajon që të përpiqen të ndryshojnë kufijtë, në veçanti Milorad Dodik, kreu nacionalist serb në Bosnje që ka kërkuar serbët boshnjakë të shkëputen.
Burimet diplomatike thonë se Shtetet e Bashkuara i kanë komunikuar Kosovës se ka një afat kohor të kufizuar për një marrëveshje.
Dhe disa mendojnë se një shkëmbim potencial i tokës në Kosovë është sepse Mitchel përdor gjeopolitikën për të kundërshtuar Rusinë.
Strategjia e Rusisë është të “ndërhyjë në polemikat e vazhdueshme në rajon për të shkaktuar paqëndrueshmëri” tha Charles Kupchan, një bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë dhe një asistent i veçantë për Obamën dhe drejtor i lartë për çështjet evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Obamës.
Por të tjerë mendojnë se një ndarje është një “ftesë” për të vazhduar kaosin, dhe kjo është pikërisht arsyeja pse Putini apo Presidenti serb Vuçiq, po e mbrojnë atë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i tha BuzzFeed News që një ndarje nuk është një zgjidhje.
Por edhe këtu, duket se SHBA nuk ka arritur ta ndajë Vuçiçin nga Moska: Më parë këtë muaj, Vuçiç shprehu “mirënjohjen e thellë” ndaj Putinit për mbështetjen e tij ndaj Serbisë.