MENU
klinika

Drejtori i klubit

Rama tregon sekretin e suksesit të Partizanit

08.10.2018 - 21:33

Një tjetër sukses i Partizanit ndaj një rivali kryesor si Kukësi ka bërë që të kuqtë të numërojnë plot 19 pikë, dy më shumë se Skënderbeu ndjekësi më i afërt. Një sukses mëse i merituar ky i Partizanit në këtë fazë të parë të këtij sezoni, pas të cilit fshihet një sekret, të cilin e zbulon drejtuesi i lartë i të kuqve, Olsi Rama.

“Çelësi i suksesit të këtij Partizani qëndron pikërisht aty, janë ata djem në dhomën e zhveshjes. Të gjitha gjërat që ata bëjnë gjatë javës në stërvitje. Impenjimi, edukata, kultura e tyre e punës. Tani, thjesht janë vënë gjërat në binarët e duhur.

U është bërë e qartë të gjithëve që klubi funksionon në bazë të disa rregullave, duke filluar nga administrata, e deri te punëtorët e fushës, duke përfshirë lojtarët dhe stafin teknik. Të gjithë i dinë punët dhe përgjegjësitë e tyre, dhe puna bëhet me rregull e me disiplinë”, – u shpreh drejtori i skuadrës së Partizanit, Olsi Rama.

Olsi Rama dhe Skender Gega
Olsi Rama dhe Skender Gega

“Unë u them gjithmonë futbollistëve që të bëjnë në fushë atë që bëjnë gjatë javës në stërvitj. Po krijojmë një grup, me të cilin luajmë mirë dhe fitojmë në ditë të mira, por arrijmë suksesin dhe sigurojmë tre pikët edhe në ditë si kjo e sotmja.

Gjithsesi, e rëndësishme është që arritëm objektivin, për të hipotekuar tri pikët. Na mbetet të përmirësohemi çdo ditë, por duke punuar të qetë dhe me këto ritme”, – vijoi drejtuesi i lartë i të kuqve, që nuk mund të mos kishte një koment edhe për liderin e këtij Partizani, trajnerin Skënder Gega:

“Sekreti i trajnerit mendoj se është ndershmëria e tij. Ai vendos gjithmonë në radhë të parë punën, fanellën, respektin. I sheh në sy të gjithë futbollistët. U ka dëshmuar se ai që punon, e meriton të luaj. Ky Partizan ka diçka më tepër nga të tjerët: këta djem që janë këtu”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN