Kastriot Dermaku, Myrto Uzuni dhe Egli Kaja. Të tre këta ishin risitë e listës së Panuccit për Kombëtaren shqiptare për ndeshjen miqësore me Jordaninë në Elbasan më 10 tetor dhe atë zyrtare me Izraelin më 14 tetor për Ligën e Kombeve.
Nuk do të jetë Jahmir Hyka dhe Ansi Agolli, dy kapitenët e fundit të Shqipërisë, por vjen një sulmues nga kampionati skocez, Egli Kaja. Ai luan në Skoci për ekipin e Livingstone dhe ka cilësi të mira teknike.
Historia e Egli Kaja nis më herët, pasi ai ishte kërkuar edhe nga Alban Bushi në ekipin kombëtar U-21, por për arsye të pasaportës, nuk u grumbullua vitin e kaluar. 22-vjeçari, pas marrjes së ftesës nga Panucci, ka folur për ‘Telesport’, ku rrëfen emocionet që ka përjetuar pasi i është komunikuar ftesa nga ekipi kuqezi.
“Më kontaktoi agjenti im dhe më tha se më kishin ftuar te Shqipëria. Kisha shumë emocione, por u lumturova shumë në të njëjtën kohë. Familja më ka bërë urimin më të bukur, pasi ata e kanë pritur për një kohë të gjatë këtë ftesë.
Jam shumë i lumtur për mbështetjen që më kanë dhënë, ata janë krenarë për mua. Kjo ftesë nga ekipi i Shqipërisë më bën të lumtur dhe njëkohësisht të luftoj shumë si futbollist. Besoj se ftesa më ka ardhur ngaqë kam luajtur mirë këtë sezon dhe besoj se më kanë ndjekur,” – u shpreh Egli Kaja.
Tashmë pritet debutimi i Kajës, ashtu siç pritet edhe debutimi i dy risive, Uzunit dhe Dermakut, me këtë të fundit që duhet patjetër ta aktivizojë me Izraelin, për t’ia “djegur” Kosovës, qoftë edhe për ca sekonda në fushën e lojës si zëvendësues.