MENU

Albert Çaçi

Rritja e tensionit në Lindjen e Mesme

03.10.2018 - 13:33

Ka një sërë ngjarjesh dy javët e fundit të shtatorit që dëshmojnë se tensioni në Lindjen e Mesme po rritet me shumë shpejtësi dhe rrezikohet  të shkohet  drejt një përshkallzimi mjaft të rrezikshëm.

Të dielën e shkuar Irani goditi me 6 raketa balestike Zulfiqar dhe disa avionë pa pilotë  bazat e ISIS në Sirinë lindore që morrën përsipër sulmin terrorrist në paradën ushtarake ne Iran ku humbën jetën 29 persona. Zyrtarisht u pretendua për një aksion raprezalje  por në të vërtetë Irani donte të jepte disa mesazhe.

Së  pari, goditja me këtë tip rakete balistike me rreze të mesme veprimi  deri  800 km, kryhet për herë të parë jashtë territorit të tij.

Raketat  nga qyteti perëndimor iranian i Kermanshah, duke kaluar mbi territorin e Irakut  goditën bazat e xhihadistëve në Siri  në një distancë reth 600 km. Irani mund ta kryente goditjen fare lehtë edhe nga bazat e pasdaranëve në Siri,  por donte këtë goditje spektakolore për të dëshmuar aftësinë e tij  dhe të demonstronte se rrezja e këtyre raketave mund të godasë lehtësisht edhe Israelin dhe gjithë bazat amerikane në Katar dhe Bahrein.

Së dyti donte të  tregonte forcen e krahur radikal të pasdaranëve që nuk varen nga Presidenti  Rohani por nga  Lideri fetar Ali Khamenei.

Së  treti Iranit nuk i ka pëlqyer marrëveshja për Idlibin midis Putinit dhe Erdoganit  pasi ndihet i përjashtuar  meqë nuk është në formatin tresh, siç ka qenë 3 vitet e fundit midis Putin-Rohani dhe Erdogan.  

Goditja raketore donte t’i thoshte Putinit se Irani nuk mund të përjashtohet nga çfarëdo zgjidhjeje për Sirinë.

Së  katërti goditja në zonën e Sirisë Lindore, përtej  krahut lindor të Eufratit që zotërohet nga kurdët e SFD të mbështetur nga SHBA, donte të dëshmonte se ata janë gati për të goditur edhe këtë zonë ku ushtria siriane ka 6 vjet që nuk ka hyrë.

Por nga ana tjetër  kjo tregon se Irani po e ngre shumë stekën pasi është goditja e dyte raketore.Tre javë më parë goditi në Kurdistanin Iraken  me raketa me rreze të shkurtër veprimi  bazat e kurdëve iranian që sipas tij janë  armiq të revolucionit islamik  dhe kërkojnë ndarjen e Kurdistanin iranian prej 6 milion banorë nga Irani. Kjo goditje  u kritikua ashpër nga SHBA si shkelje e palejueshme e sovranitetit të  Irakut.

Në  fakt këto veprime  tregojnë nervozizmin e Iranit një muaj para sanksioneve amerikane ndaj eksportit iranian të naftës që do te ketë pasoja devastante mbi buxhetin e Republikes Islamike.

Irani ka kërcënuar se në rast se do t’i bllokohet eksporti , ai do të mbyllë ngushticën strategjike të Hormuzit që praktikisht do të thotë deklaratë luftë  pasi SHBA dhe aleatët e saj do të kërkojnë ta hapin me forcë.

Nga ana tjetër e skakierës, situata në Siri mbas rrëzimit të avionit rus IL-20 është shumë inkandenshente. Vërtet Putini reagoi në pamje të parë në mënyrë të moderuar  por si një inatçor karakterial që është, të gjithe e dinë, dhe e presin një lloj hakmarrje për rusët e vrarë. Dje Rusia  i dorëzoi Sirisë  sistemet antiajrore S-300  dhe pajisje moderne për luftë elektronike. Radarët e fuqishëm të tyre me një  rreze  prej 300 km mund të identifikojnë deri ne 120 objekte ajrore  njëkohësisht dhe mund të godasin  deri në 28. Praktikisht  gjithë avionet e gjeneratës së katërt Israelite (F-16,F-18 dhe F-15) tashmë janë shumë vulnerabël.

Madje radarët e S-300  mund të kontrollonë pjesën më të madhe të hapësirës ajrore të Israelit ( gjatësia territoriale e Israelit është 475 km dhe gjërësia 135  km) dhe kjo i shqetëson shumë israelitët.

Moska deri tani ia kishte refuzuar Sirisë për të mos acaruar Israelin por tani pas rrëzimit të IL-20 kjo masë  hyn tek plani i hakmarrjes së Putinit.

 

 

Problemi akoma më shqetësues është furnizimi i Sirisë  nga ana e Rusisë  të sistemeve të luftës elektonike që mund të ndalojnë  në hapësirën ajrore siriane të gjithe komunikimet e avioneve me sistemin GPS që përdor aviacioni israelit dhe të shkëpusin gjithë komunikimet me bazat. Kjo tashmë i bën sulmet në Siri me një koeficient shumë të lartë rreziku  për jetën e pilotëve israelitë.

Kjo mbyllje e hapësirës ajrore siriane  i redukton mundësitë e goditjeve israeliane mbi lëvizjen e trupave iraniane dhe të hesbollahut që të transferojnë raketat iaraniane drejt territoreve të kontrolluara nga  hesbollahët  në Liban, në kufirin verior të Israelit  duke rrezikuar seriozisht sigurinë e tij.

Israeli aktualisht është shumë i shqetësuar. Netanjahu deklaroi se nuk do të lejojnë iranianët të furnizojnë Hesbollahet dhe se Israeli do të vazhdojë sulmet ndaj tyre në Siri.

Por tashmë është e qarte se ata do të përballen me  gjeneralët rusë që mesi presin të kenë rastin për tu hakmarrë për IL-20.

Askush  nuk është në gjendje të parashikojë  se deri ku mund të shkojë reagimi i Israelit (që është edhe fuqi bërthamore pavarësisht se e padeklaruar) nëse S-300 siriane  do të rrëzojnë avionët israelitë  dhe kjo e bën situatën mjaft të rrezikshme.

Në fakt rajoni që përcakton ecurinë e çmimit të naftës në botë, që është me pasoja për ecurinë e ekonomisë botërore,  ndodhet  aktualisht në një  fibrilacion ushtarak  me amplitudë shumë të lartë.

Vendosja me 4 nëntor të sanksioneve ndaj naftës iraniane do ta rrisë edhe  me tej këtë amplitudë, pasi  rreziku i incidenteve do të jetë shumë më i madh dhe mundësia e një konfrontimi shumë real.

Ndërkohë dje nafta Brent kaloi kufirin e  85 dollarë për fuçi dhe kufiri psikologjik i 100 dollarëve  për fuçi pas vendosjes së sanksioneve, tashmë nuk ka më dyshim se do të  kalohet  brenda nëntorit të këtij viti, me gjithë konseguencat e rënda që kjo do të sjellë për gjithë ekonominë botërore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Pasojat e globalizmit