Një tjetër investim paralel me kantierin e madh të “Arenës Kombëtare” është edhe kompleksi që përfshin Selinë e re të FSHF-së, si edhe mini-stadiumi në shërbim të ekipeve kombëtare, apo dhe të futbollit shqiptar në tërësi.
Punimet vijojnë edhe këtu me ritme të larta, teksa parashikohet që brenda muajit prill të vitit të ardhshëm, të ketë përfunduar godina e selisë së re, sipas projektit përkatës.
Momentalisht janë ezauruar punimet për katin përdhe, në një kohë që ka nisur puna për ngritjen e katit të parë. Ndërkaq, brenda tetorit që sapo ka hyrë do të nisin punimet edhe për ndërtimin e mini-stadiumit dhe dy fushave përkatëse.
Fillimisht, sipas inxhinierëve që ndjekin punimet do të nisë ndërtimi i tribunës multi-funksnionale në të dy krahët, ku do të jenë të dy fushat, dhe ku mund të ndiqen dy ndeshje në të njëjtën kohë.
Eshtë parashikuar që tribunat do të përfshijnë të gjithë sektorët e domosdoshëm, si në çdo stadium, përfshirë tribunën e medias për të dy anët. Po kështu, në ambjentet e brendëshme është projektuar dhe do të ngrihet një sallë e madhe fizioterapie në dispozicionin të futbollistëve të të gjitha moshave.
Ambientet e brendshme do të jenë njësoj si në stadiumet e ndryshme, me dhomat e zhveshjeve të skuadrave, dhomën e arbitrave, zyrtarëve, kontrollit anti-doping, etj.
Pas përfundimit të tribunës funksionale në të dyja anët, puna do të vijojë me fushat. Rritja e intensitetit të punës në ngritjen e godinës së re të FSHF-së ka bërë që punimet për tribunën të nisin këtë muaj.
Sipas inxhinier Arben Dervishajt, njëherësh edhe anëtar Komiteti i FSHF-së, referuar edhe ritmit dhe ecurisë së deritanishme të punimeve, Shtëpia e re e Futbollit Shqiptar, me zyrat e reja të Federatës, dhe mini-stadiumin me dy fushat përkatëse të jetë gati në fund të muajit maj të vitit të ardhshëm.
Punimet e këtij kompleksi kanë nisur në fillim të këtij viti, në një kohë që mini-stadiumi pritet të jetë tërësisht funksionabël edhe për ndeshje zyrtare e miqësore të kombëtares së moshave, apo edhe sfida të tjera brenda vendit.