MENU
klinika

Premier League

Shitet M.United? Përgjigjet familja Glazer

21.10.2018 - 16:34

Pronarët e Manchester United kanë reaguar pas raportimeve të ndryshme se klubi legjendar mund të shitet. Pas lajmeve se princi arab Mohammad bin Salman dëshiron ta blejë Manchester Unitedin, tani është bërë e ditur se familja Glazer nuk do që ta shesë klubin për momentin, madje as edhe një pjesë të aksioneve.

Salman, i cili për momentin mban pozitën e dytë më të lartë në qeverinë arabe pas mbretit, dëshiron t’i sfidojë pronarët arabë të Manchester Cityt në Premier League, si dhe në Europë.

33-vjeçari dëshiron ta fillojë karrierën e tij në botën e futbollit dhe e vlerëson klubin anglez, në pronësi në familjes amerikane Glazer, si klubi i përsosur për investimet e tij. Kjo blerje mund t’i kushtonte atij mbi 4 miliardë euro, por ka mundësi që ai t’i blejë vetëm një pjesë të aksioneve.

Megjithatë, kjo dëshirë e tij nuk pritet të bëhet realitet pasi që familja Glazer, që e mban pronësinë e klubit që nga viti 2005, nuk është e gatshme ta shesë klubin, përkundër kritikave që kanë marrë kohët e fundit nga tifozët e klubit.

Vlera aktuale e klubit vlerësohet të jetë rreth 3 miliardë euro, që është më e ulët se vlera që e kishte klubi në muajt paraprak të këtij vitit, 4 miliardë euro. Megjithatë, edhe nëse oferta e Salmanit është shumë më e lartë se kaq, Glazerat nuk dëshirojnë ta shesin Manchester United.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN