MENU
klinika

Albert Çaçi

Shpërthimi i çmimit të naftës

01.10.2018 - 09:38

Të premten e shkuar  çmimi i naftës për herë të parë pas 4 vitesh kaloi nivelin psikologjik të 80 dollarëve  duke arritur 82,8 USD për fuçi  për naftën Brent të Detit të Veriut që merret si bazë për tregtinë e mbi 60% të  naftës botërore. 

Problemi është se kjo rritje me një tendencë për të vazhduar më lart  ndodh në një moment të një konfuzioni total të gjithë marrëdhënieve ndërkombëtare.

Si asnjëherë të gjithë po konfrontohen me të gjithë dhe  duket qartë se po prishen skemat e aleancave të vjetra dhe gjithçka po rrëshqet në mënyrë të frikshme drejt kaosit.

Kjo rritje e çmimit të naftës ka konseguenca shumëpalëshe jo vetëm ekonomike por edhe politike pasi rreth naftës rrotullohet gjithë financa globale të paktën për 50 vitet e fundit dhe ndikon direkt mbi situatat politike, ekonomike të pothuajse gjithë shteteve të globit.

I pari që reagoi në mënyrë gati agresive ishte Presidenti i SHBA Trump që i kërkoi hapur Arabisë Saudite që në mbledhjen e OPEK-PLUS në Marok të mbajtur javën e shkuar   të shtonin prodhimin e naftës  që të mos lejonin tejkalimin  e shifrës psikologjike të  80 dollarëve për fuçi. Madje  duke u kujtuar Saudëve se SHBA bën shumë për mbrojtjen ushtarake të tyre, dhe se ata kanë detyrime të mëdha. Trump ndodhet në fushatë elektorale parlamentare dhe një rritje e çmimit të naftës ka efekte imediate mbi elektoratin.

Por përpjekja e Trump nuk solli rezultat pasi OPEK nuk pranoi të shtojë prodhimin.

Në fakt problemi është shumë më i komplikuar. Në 4 nëntorin e ardhshëm  do të futen në fuqi sanksionet amerikane ndaj eksportit të naftës iraniane si pasojë e daljes së SHBA nga marrëveshja nukleare 5+1. Dalja jashtë tregut e të paktën 2 milion fuçive në ditë të eksportit iranian e ndërlidhur me rënien drastike të eksportit të Venezuelës dhe Libisë, për shkak të situatave të tyre politike të brëndshme , do ta çojë lehtësisht çmimin në mbi 100 dollarë brenda nëntorit.

Kjo ka shkaktuar nje panik të madh pasi mund të frenojë gjithë rritjen ekonomike botërore që mezi po merr veten nga kriza e rëndë që sapo kaloi.

Pa folur këto për skenarin alucinant që Irani mbyll Hormuzin, dhe çmimi i naftës kalon 250 dollarë për fuci duke futur gjithë ekonominë botërore në kaos të plotë. Dhe nuk jemi në skenare fantashkencore .

Mbas aktit të fundit  terreorist në Iran ky i fundit kërcënoi direkt Petromorkitë e Gjirit  Persik me sulme raketore. Nga ana  tjetër rrëzimi i avionit rus IL-20 po sjell  një lëvizje ushtarake të paprecedente dhe një vringëllim i frikshëm armësh  po ndihet në gjithë Lindjen e Mesme pikërisht në momentin më të vështirë të ecurisë së çmimit të naftës.

Tani janë edhe SHBA në një moment shumë delikat. Kalimi i çmimit mbi 100 dollarë do të ketë shumë reperkursione edhe mbi ekonominë e tyre pasi ata vetë kanë arritur në një prodhim ditor rreth 10 milion fuçi në ditë por janë konsumatorët më të mëdhenj në botë me mbi 20 milion fuçi në ditë (rreth 1/5  e gjithë prodhimit botëror prej  97 milion fuçi në ditë ose 1,1 miliard ton naftë konsum vjetor). Rritja e çmimit të naftës rrezikon t’i kompromentojë Trump rezultatet e pritshme pozitive  të reformës fiskale: Por goditjen më të madhe do ta kenë  BE, Kina, Japonia, Koreja   dhe India si importuesit  më të mëdhenj  me mbi 60% të importit botëror.

Nga që nuk rakordojnë dot me Rusinë për rritjen e prodhimit të naftës si prodhuesja më e madhe në botë  për shkak të marrëdhënieve si asnjëherë tjeter konfliktuale, i kërkuan Arabisë Saudite që të kompensojë daljen e e naftes iraniane nga tregu.

Por Arabia Saudite, jo vetëm që nuk i intereson ekonomikisht pasi Ministri i tyre i Energjisë  deklaroi se nën 80 dollarë Mbretëria nuk do të pranojë më të shesë naftë, pasi edhe atyre po ju shterojnë financat (lufta në Jemen ka gërryer mbi 50 miliard dollarë), por nuk ka më as kapacitete teknike pasi me një prodhim aktual  prej 10 ,5 milion fuçi  në ditë ka shkuar në limit. Rritja më tej mund të çojë në prishjen e regjimit të shfrytëzimit të vendburimeve me pasoja të rënda për të ardhmen e prodhimit.

Nga ana tjetër për SHBA janë shtuar edhe problemet politike. Bashkimi Europian  deklaroi hapur se me një çmim 100 dollarë ekonomia e saj do të frenojë dhe se ajo nuk do t’i bashkohet sanksioneve amerikane kundër Iranit dhe do të gjejë mënyra alternative pagese në euro duke shmangur dollarin.

Ky është një veprim me konseguenca politike pasi BE gjithmonë ka mbështetur SHBA në politikat e sanksioneve por tani interesat e saj ekonomike rrezikohen seriozisht dhe përçarja në Perëndim nuk po mund të fshihet më.

Pa folur këtu per efektin pozitiv që ka Rusia nga kjo rritje çmimi. Tani që mbas 4 vjet sanksione Perëndimi po shpresonte në  ndonjë korelim të veprimeve agresive të Moskës  atyre iu vjen në derë një situatë e favorshme. Rusia e kishte planifikuar në buxhetin e këtij viti çmimin e naftës mesatarisht në 30 dollarë për fuçi. 46% e të ardhuara buxhetore ruse vijnë nga eksportet energjetike. Me këtë çmim aktual që për gati gjithë vitin ka qenë mbi 50 dollarë ajo përfiton rreth 10 miliard dollarë me tepër thjesht nga ky provokim i sforcuar i rritjes së çmimit të naftës. Dhe të mos harrojmë se edhe çmimi i gazit ponderohet nga ai i naftës dhe Rusia është eksportuesja më e madhe e gazit në botë.

Në  gjendje mjaft të vështirë janë edhe konsumatorët e mëdhenj aziatik, Kina, India, Japonia dhe Koreja që janë importuesit më të mëdhenj në botë. Nuk duhet inteligjencë e madhe për të kuptuar se çfarë iu ndodh ekonomive të tyre kur çmimi të kërcejë mbi  100 dollarë. Prandaj ata ia kanë bërë të qartë SHBA-së se do të vazhdojnë importin e naftës iraniane me valuta të tjera për të mos rrezikuar ekonomitë e tyre. Nga ana tjetër do të jenë të detyruar të shtojnë importin nga Rusia në kundërshtim me politikat e SHBA për të izoluar Rusinë.

Tani SHBA janë në dilemë  nga efektet negative që mund të prodhojë vendosja e sanksioneve. Nga Ministria e Energjisë amerikane vijnë sinjale se SHBA duhet të garantohen që tregu të ketë ofertën e duhur pasi efektet negative do të godasin edhe vetë ekonominë amerikane por edhe aleatët e saj  në Europë dhe Azi.

Praktikisht asnjë nga aleatët e SHBA për herë të parë nuk mbështet sanksionet ndaj eksportit iranian të naftës.

Ngelet akoma dhe një muaj për të marrë vendimet finale. A do të shkojë Trump deri në fund apo efektet negative do ta çojnë në vendime të ponderuara duke lejuar që Irani të vazhdojë eksportin edhe në forma të tjera për të mos dalë gjithçka jashtë kontrollit.

Një gjë është shumë e qartë tashmë. Mungesën e naftës iraniane në treg nuk mund ta kompensojë asnjë shtet tjetër dhe për rrjedhojë rritja e  çmimit nuk do të mund të frenohet.

Viti 2019 mund të shndërrohet në një vit jashtëzakonisht të vështirë  dhe  një krize e re ekonomike  globale mund të  duket në horizont. Pa folur që një çmim nafte mbi 100 dollarë për fuçi i acaron marrëdhëniet  ndërkombëtare në limite ekstreme  dhe mundësia e konflikteve të armatosura jepet me një probabilitet shumë të lartë.

Dhe pikërisht ajo që nuk duhet në këtë situatë  të komplikuar  është një çmim nafte jashtë kontrollit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


'Lufta' për gazin

Marrëveshja e Kaspikut

Gabimet që janë bërë...

Nënvlerësimi i Trump nga Erdogan

Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit