Një nga risitë e listës së Panuccit për ndeshjet e radhës së Kombëtares është edhe një mbrojtës, por jo i panjohur. Ishte shkurti i vitit 2013 kur trajneri aktual i Partizanit, Skënder Gega, në atë kohë kreu i pankinës së ekipit Shpresa, do të thërriste me U-21, Kastriot Dermakun, vetëm 21 vjeç.
Mbrojtës shtatlartë, me potencial dhe që aktivizohej me Melfin në kategorinë e tretë italiane. Një grumbullim dhe një debutim për të, në miqësoren ndaj Maqedonisë. Dermaku luajti vetëm 24 minuta, teksa më pas u la na harresë për shumë vite.
Ndërkohë, Empoli pagoi për kartonin e tij, duke nisur më pas një seri huazimesh për futbollistin e lindur në Scandinado të Italisë. Në fillim te Pavia, më pas te Luchese, teksa në fund, toskanët vendosën që të mos rinovonin kontratën e mbrojtësit, që kishte mbushur 25 vjeç dhe nuk kishte bindur.
Kështu, kalimi si futbollist i lirë te Cosenza u bë i mundur në verën e vitit të shkuar. Paraqitje të mira në Lega Pro, ose Seria C italiane për shtatlartin e mbrojtjes, aq sa i ra në sy drejtuesve të federatës kosovare të futbollit dhe, sidomos, trajnerit Bernard Challande, që vendosi ta grumbullonte për dy sfidat përballë Azerbajxhanit dhe Ishujve Faroe për Ligën e Kombeve.
Kastriot Dermaku, i biri i Luan Dermakut, ish-sulmues i Prishtinës shumë vite më parë, pranoi ftesën dhe u prezantua rregullisht, por nuk pati mundësi të zbriste në fushë. Por, historia me Shqipërinë nuk ishte mbyllur për lojtarin që ka nështetësi kosovare dhe shqiptare.
Kështu, në mënyrë të pabefasueshme, Christian Panucci, trajneri italian i përfaqësueses kuqezi, vendos ta thërrasë për ndeshjet ndaj Jordanisë dhe Izraelit. Mbrojtësi i Cosenzas ka thënë po dhe tashmë do të jetë pjesë e kuqezinjve, 5 vjet pasi u provua me U-21.
Ndryshe nga Challandes, Panucci është i vendosur ta aktivizojë debutuesin dhe kështu do të mbyllet përgjithmonë rruga për në Kosovë për të. Sigurisht, sfida e së vërtetës do të jetë ndaj Izraelit, pasi me Jordaninë është miqësore dhe në protokollin e rregullores FIFA dhe UEFA nuk konsiderohet.