MENU
klinika

Shqipëria është mbrapa

Si na konkuron rajoni për investime të huaja

09.10.2018 - 10:56

Në vitet e fundit, investimet e huaja direkte kanë arritur vlera rekord, në kufijtë e 1 miliard eurove. Megjithatë, skeptikët shprehen se vlera e këtyre investimeve lidhet me pak projekte madhore dhe është e destinuar të bjerë me përfundimin e tyre. Sipas sipërmarrësve, Shqipëria është mbrapa në garën për tërheqjen e investitorëve të huaj, duke parë incentivat dhe avantazhet e ofruara nga vendet e tjera të rajonit.

Në Maqedoni, ligji për zonat e zhvillimit teknologjik industrial ka funksion të ngjashëm me ligjin për investime. Politikat stimuluese në këtë vend janë në formë të ndihmës financiare, përjashtimit nga taksat apo edhe në forma të tjera. Serbia ofron grante të përgjithshme dhe grante për punësim. Grantet e përgjithshme mund t’u jepen ndërmarrjeve të mëdha deri në 50% të kostos totale të investimit. Ndërkaq, grantet për punësim jepen për secilin punëtor në tre programe të ndryshme: në programin e subvencioneve për punësim, për praktikë dhe për ritrajnim.

Në Maqedoni, përdoruesit e zonave, siç quhen investitorët, marrin fonde nga shteti deri në 50% të kostos së investimit ose 50% të pagave për dy vjet për vendet e hapura të punës. Për bizneset e mesme, kjo përqindje rritet deri në 60%, ndërsa për bizneset e vogla deri në 70%. Investitori duhet të sigurojë të paktën 25% të investimit. Por, në rast se projektet investuese tejkalojnë shumën prej 50 milionë euro, ndihmat financiare prej shtetit janë më të mëdha, praktikë kjo e parë edhe në ligjet e vendeve tjera.

Formë tjetër është kur shteti paguan pjesërisht për ndërtimet që duhet të bëhen për një investim, me kusht që të hapen mbi 20 vende të reja të punës dhe vlera totale e investimit të jetë prej 1 milion euro. Në Serbi politikat stimuluese që kanë të bëjnë me taksat janë: përjashtimi nga taksat në fitim, bartja e humbjeve, shmangia e tatimit të dyfishtë, zbritje (subvencionim) e pagesës së kontributeve për paga të punëtorëve, zbritjet prej taksave për të ardhurat vjetore dhe heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar në zonat e lira ekonomike.

Përjashtimi nga tatim-fitimi u mundësohet kompanive që investojnë më shumë se 9 milionë euro dhe që punësojnë të paktën 100 punëtorë. Bartja e humbjeve në taksa mund të bëhet deri në pesë vite. Kjo do të thotë që për çdo shumë të paguar për taksa që në ndonjë formë apo tjetër tejkalon shumën ligjërisht të kërkuar, kompanitë do të marrin përjashtime proporcionale në taksat e paguara për vitet e ardhshme.

Po ashtu, në rast se një kompani gjeneron përfitime edhe jashtë Serbisë, mund të fitojë të ashtuquajturat kredi tatimore në Serbi për të njëjtën sasi të paguar të taksave jashtë vendit. Kjo është bërë me qëllim që të shmanget tatimi i dyfishtë. Edhe barra e pagave, pra taksat dhe kontributet që kompania duhet t’i paguajë për punëtorët e saj zvogëlohet proporcionalisht me numrin e punëtorëve të punësuar. Serbia ofron edhe përjashtim nga tatimi në vlerën e shtuar në të ashtuquajturat ‘zona të lira’ që janë gjithsej 12.

Në Maqedoni investitorët brenda zonave përjashtohen për dhjetë vitet e para nga taksa e fitimit dhe nga taksa e pagave për punëtorët. Po ashtu, në këto zona, lënda e parë mund të futet dhe tregtohet pa tatim në vlerë të shtuar. Për më tepër, shfrytëzuesit e zonës lirohen nga pagesa e një tarife për rikonstruktim të tokës mbi të cilën ndërtohet si pjesë e investimit. Kompanitë të cilat investojnë në softuer, teknologji, ose hulumtime shkencore, nuk kanë nevojë të paguajnë garanci në dogana për pajisjet e përdorura. Në zonat e lira ekonomike investitorët fitojnë falas energji elektrike, gaz, ujë.

Gjithashtu, këta investitorë përfitojnë deri në 500 000 euro grant për objektin ndërtimor, në bazë të numrit të të punësuarve dhe lartësisë së investimit. Por, në këto dy vende aplikohen edhe forma të tjera stimuluese.

Në Serbi importi i lëndës së parë dhe i produkteve gjysmë të përfunduara janë të përjashtuara nga dogana në rast se këto elemente përdoren për të prodhuar produkte që eksportohen. Po ashtu, për të gjitha makineritë dhe pajisjet që një investitor i sjellë nga jashtë nuk ka nevojë të paguajë tatim në doganë. Edhe në nivel lokal ofrohen stimuj që kanë të bëjnë kryesisht me tarifat që paguhen për shfrytëzim të hapësirave publike për ndërtim ose për qëllime tjera.

Format tjera të stimulimit në Maqedoni për shfrytëzuesit e zonave janë edhe ndihmat financiare për trajnim të punëtorëve. Ky stimul u mundëson punëtorëve të investitorëve të fitojnë aftësi për punë, në mënyrë që aftësitë e tyre të punësimit të rriten pasi të largohet investitori. Maqedonia i ka lehtësuar edhe procedurat për regjistrimin e bizneseve përmes metodës one-stop shop, që u mundëson bizneseve regjistrim për 4 orë.

Avantazhet e fqinjve

Një studim i kryer në Serbi, suksesin e tërheqjes së investime në këtë vend ia atribuon edukimit primar dhe atij të lartë të fuqisë punëtore, infrastrukturës, teknologjisë, madhësisë së tregut dhe qasjes në tregjet e tjera jashtë vendit. Një tjetër faktor kyç i suksesit të investimeve në Serbi janë cilësuar edhe zonat e lira që janë krijuar në territore të ndryshme.

Madje edhe Financial Times i ka cilësuar dy zona të lira ekonomike ne Serbi si dy ndër zonat më të mira në botë. Edhe në Maqedoni zonat e lira kanë pasur sukses dhe menjëherë pas nisjes së tyre, investimet gati janë trefishuar.

Një shpjegim i mundshëm është që kur këto investime janë absorbuar nga tregu, niveli i tyre ka rënë pasi nuk ka pasur më aq shumë nevojë për investime në tregun maqedon si në fillim. Rritja e investimeve mund të ketë ndikuar edhe në uljen e papunësisë, megjithatë ecuria e lëvizjes së nivelit të papunësisë nuk e reflekton komplet nivelin e investimeve. Suksesi i investimeve në Maqedoni është cilësuar si rezultat i kombinimit të zonave të lira ekonomike, stabilitetit makroekonomik si dhe ideve kreative për të lehtësuar pengesat burokratike për bizneset.

Një tjetër faktor për suksesin e Maqedonisë në fushën e investimeve është edhe bashkëpunimi i ngushtë me dhomat e huaja ekonomike të pranishme në këtë vend, të cilat kanë ndërmjetësuar në projektet investuese mes qeverisë dhe sipërmarrësve të interesuar.

Shqipëria dhe zona e lirë ekonomike

Në janar 2015, qeveria shqiptare miratoi shpalljen e zonës së Spitallës në Durrës me një sipërfaqe prej 500 hektarë, si “zonë të lirë ekonomike”. Por pas disa dështimesh në fund të muajit prill të vitit 2017 më në fund në tenderin për këtë qëllim u paraqitën dy oferta. Ndërsa pas shpalljes së fituesit nga ana e komisionit të vlerësimit të ofertave, çështja ka përfunduar në dyert e gjykatave për shkak të pretendimeve të kompanisë së renditur e dyta. Një kalvar kaq i gjatë për hapjen e një zone të lirë ekonomike, kur p.sh. vendi fqinj Maqedonia ka funksionale 12 zona të tilla dhe ku investitorët potenciale po shtohen gjithnjë e më shumë e së fundmi interes në rritje kanë shprehur edhe ata shqiptarë.

Investimet ranë në tremujorin II

Investimet e huaja direkte në tremujorin e dytë të vitit ranë në vlerën e 223 milionë eurove. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet ranë me rreth 70 milionë euro krahasuar me tremujorin e parë të vitit, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë u regjistrua një rënie e lehtë, me rreth tre milionë euro. Megjithatë, deri tani bilanci progresiv vjetor ngelet pozitiv, falë rritjes së tremujorit të parë. Në gjashtë muaj, ekonomia shqiptare ka thithur 515 milionë euro investime të huaja, me një rritje prej 19% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Investimet e huaja direkte kanë qenë një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike në pesë vitet e fundit, të mbështetura sidomos nga disa projekte madhore energjetike, si gazsjellësi Trans-Adriatik, apo hidrocentrali në kaskadën e Devollit. Megjithatë, tani që këto vepra janë drejt përfundimit, perspektiva e investimeve të huaja është e pasigurt, siç është evidentuar nga raportet e institucioneve ekonomike të specializuara.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


223 mln euro në tremujorin II

Bien investimet e huaja

Investimet e huaja në Shqipëri

Kapitali grek ruan “fronin”


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!