Nga një gol për secilën pjesë loje dhe Skënderbeu ka fituar 2-0 në shtëpi ndaj Kamzës, duke fundosur miqtë, ndërsa vetë kampionët rimarrin kreun e Kategorisë Superiore, me një pikë më shumë se Partizani, që ka një ndeshje më pak.
Nuk ishte një sukses dhe aq i lehtë për të besuarit e Orges Shehit, të cilët hasën jo pak vështirësi kundër ekipit nga periferia e kryeqytetit. Pasi ishte zhbllokuar rezultati nga John, miqtë fituan të drejtën që të goditnin një 11-metërsh, por Plaku gaboi nga pika e bardhë, duke mos e gjetur as kuadratin.
Penalltia e dytë e shpërdoruar nga kapiteni i kamzalinjve këtë edicionin. Me kalimin e minutave ritmi ra dhe skuadrat nuk kishin iniciativë për të rrezikuar. Edhe në fillimin e fraksionit të dytë ritmi ishte i ulët, por në minuta e fundit Kamza nisi që të provonte më shumë.
Ishte vendimtar portieri i Skënderbeut, Aldo Teqja, vetëm 10 minuta para fundit të kohës së rregullt, pasi bëri dy pritje mjaft të vështira në pak sekonda. Vendasit në anën tjetër me qetësinë që u jepte rezultati, prisnin momentin e duhur për të rrezikuar dhe në fund Bregu shënon golin e dytë dhe të sigurisë.
SKËNDERBEU – KAMZA 2-0
John 12′, Bregu 93’
Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi, Dita, Muzaka (Demte 27′), Guedj, Gripshi, Bregu, John (Guindo 67′). Trajner: Orges Shehi.
Kamza: Avdyli, Frashëri, Teqja, Arrabal, Bonani (Martinena 46′), Orelesi, Mehmeti, Mumajesi, Plaku, Zisi, Roloviç (Fukui 45+2′). Trajner: Klodian Duro.
Kartonë të verdhë: Radas 15’/ Bonani 10′, Teqja 61′
Gjyqtarë: Indrit Myrtja, Melis Dervishi, Fisnik Thorja, Blerim Ziri