Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, 23 Tetorin – Ditën e Luftës Revolucionare të Maqedonisë e priti me spastrime në radhët e saj.
Kryetari i parisë, Hristijan Mickoski nga solemniteti partiak kërkoi që të miratohet ligj për amnisti për pjesëmarrësit në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend dhe sipas tij kështu do të ketë drejtësi joselektive dhe liri për të gjithë.
Lidhur me situatën e sapokrijuar në partinë që e drejton, tha se e premtja e kaluar ka qenë “e premte e zezë”, ndërsa deputetët që kanë votuar të kundërtën e qëndrimit të partisë, siç tha e kanë shitur partinë dhe shtetin dhe janë prirur nga interesat personale.
Mickoski vlerësoi se mbështetja për qasje drejt ndryshimeve të Kushtetutës nga ana e deputetëve të VMRO-DMPNE-së i kanë mundësuar kryeministrit Zoran Zaev që ta vazhdojë karrierën politike. Është dashur, siç tha, që të mbahen zgjedhje të reja dhe VMRO-DMPNE-ja të fitojë.
Ndryshe, Komiteti Qendror i partisë në seancën e mbrëmshme shkarkoi nga funksionet partiake nënkryetarin Mitko Jançev dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Konstadin Bogdanovski, kërkoi edhe procedurë disiplinore për përjashtim të Sasho Mijalkovit dhe Nikolla Todorovit, si dhe për deputetët të cilët votuan për ndryshimet kushtetuese t’i kthejnë mandatet.
Paraprakisht nga partia ishin përjashtuar edhe shtatë deputetë të cilët i përkrahën ndryshimet kushtetuese. Në propozimin e Mickoskit ishin përjashtuar Kërsto Mukoski, Sasho Vasilevski, Luben Arnaudov, Elizabeta Kançeska-Milevska, Zeqir Ramçiloviç, Nola Ismajloska-Starova dhe Emilija Aleksandrova. /Konica.al/