Nëse kalimi i grupit në Ligën e Kombeve duket thuajse i pamundur, një tjetër objektiv i rëndësishëm është përpara për Kombëtaren shqiptare. Sipas llogarive të vetë UEFA-s, për kuqezinjtë bëhet gati pjesëmarrja në Ligën D, atë të ekipeve shumë të dobëta të kontinentit pas dy vitesh, kur ky turne të kthehet përsëri .
Në fazën zyrtare të saj, UEFA ka bërë përllogaritjet e asaj që i duhet çdo ekipi në ndeshjet e ardhshme për t’u ngjitur më lart, për të fituar pozicione në renditjen e grupeve aktuale, apo për të evituar rënien.
Përshkrimi i saj për Shqipërinë lë pak vend për diskutim dhe vë kuqezinjtë përballë një alternative të vetme në muajin nëntor, kur përballë do të kenë Skocinë në “Loro Boriçi”.
“Do të bjerë nga kategoria nëse nuk ia del të mundë Skocinë”, është përshkrimi i UEFA-s për shanset e mëtejshme të Shqipërisë. Ajo llogarit se edhe barazimi, i kombinuar me rezultatet e mundshme të skuadrave që mbajnë vendet e treta të tjera në Ligën C, nuk do u mjaftonte të përzgjedhurve të Panuçit për të siguruar qëndrimin në këtë Ligë.