Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka ftuar partitë politike në Kosovë që të bashkohen për mbrojtje të territorit.
Derisa ka komentuar kërkesën e grupeve parlamentar të Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje për seancë të jashtëzakonshme, për të miratuar një rezolutë që ia ndalon presidentit të flas për korrigjimin e kufijve, Veseli ka thënë se duhet të kalohen inatet politike.
“Sot do të procedojmë në bazë të kërkesës së deputetëve dhe do të ketë seancë të jashtëzakonshme. Edhe nga ky vend i bukur thërras për ndërgjegje më të madhe, për përgjegjësi më të madhe shtetërore të gjitha forcave politike në mbrojtje të territorit të Republikës së Kosovës. Energjia kundër njëri tjetrit duhet të transformohet në energji pozitive për njëri tjetrin edhe një energji e vendosmërisë sonë për Serbinë. Ne kemi vetëm një kundërshtar të pavarësisë sonë, ajo është Serbia. Nuk duhet të gjejmë kundërshtar brenda vetvetes, shpresojmë që të kalojnë inatet edhe kolegët e opozitës, Kosova është e përbashkët“, tha Veseli.
Megjithatë, ai nuk ka treguar se a do të votojnë deputetët e partisë që ai drejton për këtë rezolutë. /Konica.al/