Ndonëse prej 3 ditësh stërvit Tiranën, zyrtarizimi i Ardian Memës si trajneri i ri bardhebluve është bërë vetëm sot nga klubi, me një postim në faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale.
Aty shfaqet Mema për herë të parë përkrah presidentit Halili, i cili e kishte ndjekur në miqësoren me U-19, por duke qëndruar larg ekipit, ndërsa nuk kishte bërë as një prezantim zyrtar të trajnerit të ri, kur ky i fundit u vu sot përballë medieve.
Në njoftimin e klubit bëhet e qartë se, Mema, i kthyer në radhët e bardhebluve për t’i ndihmuar të dalin nga situata e vështirë në të cilën gjenden, ka afat deri në fund të sezonit për të treguar vlerat e tij në pankinë e kësaj skuadre.
Në njoftimin e klubit bëhet e ditur se kontrata është fillimisht njëvjeçare dhe se në fund të këtij edicioni, palët mund të binin dakord për të zgjatur edhe një sezon tjetër qëndrimin e tij në drejtimin e klubit për sezonin pasardhës.
NJOFTIMI I TIRANËS
Ardian Mema ka firmosur sot zyrtarisht kontratën që e rikthen në shtëpi si bardheblu. Tekniku ka nënshkruar sot një marrëveshje 1-vjeçare në praninë e presidentit Refik Halili.
Në këtë kontratë është parashikuar një opsion rinovimi për sezonin e ardhshëm. Mema është ish-futbollist dhe ish-trajner i Tiranës dhe rikthimi në shtëpi është një premtim për vazhdimësinë e këtij sezoni.