MENU
klinika

Nga Luan Rama

Androniku i Korfuzit dhe dëshmitë për shqiptarët

22.11.2018 - 16:55

Kronisti i shekullit XVI Androniku i Korfuzit apo Andronic Nucios, siç kishte emrin e familjes (Nicandre de Corcyre) i cili përmendet edhe në disa libra historikë mbi ngjarjet e mëdha të shekullit XVI në Europë, është një nga personazhet e çuditshme të kësaj bote, i cili pati rastin të njohë nga afër shumë princër, mbretër e fisnikë të shquar, por dhe personalitete të botës shqiptare që ishin shpërndarë tej territoreve të Shqipërisë së pushtuar në atë kohë nga perandoria osmane.

Para disa vitesh në Francë janë botuar kronikat e tij nën titullin “Udhëtim në Perëndim” të përmbledhura në një libër të vetëm dhe të përkthyera nga studjuesi francez Paolo Odorica, me një parathënie të studjuesit të kësaj epoke Yves Hersant, ku ai shkruan: “Nicandre njohu një fat vërtet të çuditshëm.

Duket se historia e trajtoi keq atë, duke e kthyer në një kopist të thjeshtë, rol, të cilit ai i shpëtoi për ca kohë, për të takuar pastaj mbretër e perandorë, sulltanë, ambasadorë e prijësa të mëdhenj ushtarakë.

Por libri i tij me kujtime ra në pluhurin e bibliotekave, libër nga i cili, ai priste nderime e lavdi, dhe kjo ndodhi sepse ajo u shkrua në një gjuhë të vdekur…” Do kalonin tre shekuj që një studjues anglez J.A. Cramer e zbuloi në një bibliotekë të pluhurosur nga koha e të harruar dhe përktheu sëpari veç një nga tre librat e tij, vëllimin e dytë që kishte lidhje me mbretërinë angleze. Dy librat e tjerë u bënë të njohur shumë më vonë.

Androniku ishte një qytetar i Korfuzit, i lindur atje, ishull i cili në atë kohë ishte ende nën zotërimin e Republikës së Venedikut. Në vitin 1537 pas rrethimesh e përpjekjesh të mëdha, ushtria osmane mundi ta pushtojë e ta plaçkisë pastaj ishullin përballë brigjeve shqiptare. Familja e tij fisnike arriti të largohej nga Korfuzi dhe gjeti strehë në Venedik, ku kishte një komunitet shqiptarësh ortodoksë e katolikë, shumë prej tyre të ardhur dhe nga Peloponezi si dhe grekë e kroatë, apo shumë hebrenj.

Pikërisht atje ishin vendosur më parë dhe stradiotët e famshëm si Merkur Bua Shpata, Bokali (me të cilët ai lidhi krushqi), Buziki apo dhe Gjergj Skënderbeu i ri, siç vetëquhej ai, një stradiot po aq i njohur dhe i mbështetur nga Venediku. Në Venedik, Androniku nisi të punojë si kopist i dorëshkrimeve të vyera, kodikëve, etj, dhe ishte në shërbim të një fisniku spanjoll me emër, Hurtado de Mandoza.

Kopjonte pra dorëshkrimet nga greqishtja e vjetër apo latinishtja. Pikërisht në këtë periudhë në Venecie ndaloi një udhëtar jo i zakonshëm, ambasadori i perandorit Charles Quint, i cili e kishte mundur mbretin francez François I. Ishte flamandi Gerard Veltwick de Ravenstein, i cili po udhëtonte nëpër Europë.

Pa hezituar, Androniku shkoi ta takojë dhe duke i treguar ambasadorit aftësitë e tij dhe njohjen e disa gjuhëve të huaja përveç greqishtes, e bindi atë ta shoqëronte gjatë udhëtimeve të tij diplomatike, së pari drejt Stambollit pranë Sulejmanit të Madh, por edhe drejt Francës, Anglisë e gjetkë.

Ishte viti 1545 dhe që nga ky moment ai do të quhej Nicandre de Corcyre, siç kishte bërë dhe bashkëkohësi i tij Nicolas Chalcondylas që quhej Laonikos. Kështu Androniku e la punën e kopistit si dhe familjen në Venecie dhe shoqëroi ambasadorin në atë udhëtim europian nëpër Konstantinopojë, Itali, Flandër, Brabant, Calais, Londër, Paris…

Një eksperiencë e jashtëzakonshme për një kronist si ai që ngado që shkonte mbante shënime që do t’i mbeteshin historisë. Siç shënon në kujtimet e tij Androniku, nga Venecia, dy anije veneciane e shoqëruan ambasadorin dhe njerëzit e tij drejt brigjeve të Ilirisë (Epidor), nga ku pastaj ata morrën rrugën tokësore drejt Maqedonisë, Thrakës duke mbërritur së fundi në Konstantinopojë, ku i priti sulltani Sulejmani i Madh.

Pas bisedimeve, ata morrën rrugën e kthimit duke kaluar përsëri nga Thraka drejt Epidorit, ku një anije e quajtur “Aquilé”, do t’i merrete për t’i çuar drejt gjirit të Triestes, nga ku pastaj, do të drejtoheshin drejt qyteteve Padova, Ferrare, Mantova, Verona, Trente, Bolzano, nëpër Alpe, drejt Augsburg, Danube, Rhin, Aix-la-Chapelle, Ultrech, Bruxelles, Anvers, Gand, Bruge, Hollandë, Calais, Londër, etj.

Në atë kohë ai e shoqëroi ambasadorin dhe gjatë takimit të tij me mbretin anglez Henry VIII, i cili ishte aleat me perandorin Charles Quinte. Pikërisht në Londër ai do të kishte rastin të njoihte trupën e famshme të stratiotëve shqiptarë që mbante afër mlbreti anglez. Në atë kohë sapo kishte shpërthyer një kryengritje në Skoci, por mbreti anglez që mbante afër tij stradiotët shqiptarë të Peloponezit, dërgoi trupën e stradiotëve të komanduar nga kapiten Thomas.

Ata kishin ardhur nga Nafplio ku ishte kështjella e fortë veneciane, apo Argolidha dhe kështjella e Argos, ku siç dëshmojnë shumë historianë të kësaj kohe, veçanërisht venecianë, Nafplio dhe Argolidha banohej kryesisht nga shqiptarët, të cilët në Perëndim, meqë vinin nga Peloponezi dhe flisnin dhe greqishten, i quanin nganjëherë grekë.

Pra, trupat e kapitenit Thomas i dhanë fund rrebelimit me shpatat e tyre dhe veçanërisht heshtat e gjata që përdornin stradiotët, të cilët luftonin në këmbë mbi kalë. Më së fundi skocezët u dorëzuan dhe dërguan një delegacion pranë mbretit duke pranuar pushtetin e tij. Pasi u kthyen nga Skocia e nënshtruar, mbreti anglez i nisi ata drejt brigjeve të Francës në anën tjetër të La Manche ku do të zbarkonte dhe vetë më pas.

Meqë Androniku përmes gjuhës u bë mik i tyre dhe i pëlqente aventura, iu lut ambasadorit që ta lironte nga detyra, meqë donte të niste një aventurë të re në jetën e tij: të shkonte me trupën stradiote. Dhe ambasadori e mirëkuptoi dhe i dha leje, duke i dhënë para si dhe duke i falur dhe një kalë nga ana e tij. Kështu, Androniku u gjend në brigjet franceze bashkë me stradiotët. Në shënimet e tij të botuara më pas, ndër të tjera rreth kësaj ekspedite ushtarake ai shkruan:

Kapiteni Thomas

«Pra mbreti Henry VIII dërgoi në Boulogne pikërisht kapitenin Thomas, nga Peloponezi bashkë me trupën e tij dhe i besoi mbrojtjen dhe qeverisjen e pjesës së poshtme të qytetit dhe të portit. I tha se të gjithë banorët e qytetit do i bindeshin. Mbreti i kishte dhënë një gradë me shumë prestigj dhe ai ruhej nga shumë bodigardë. Cdo ditë bënte ndeshje të shkëlqyera kundër francezëve, çka i jepnin atij akoma më shumë lavdi.

Shpesh dilte dhe bënte inkursione në krye të një grupi të vogël kundër armiqve që ishin në një numur shumë të madh, të cilët i shpartallonte. Armiqtë e kishin shumë frikë.

Një ditë Thomas mori vesh nga pararoja e tij se të nesërmen francezët do të transportonin me karro në kështjellën e tyre ushqime, topa, armë dhe mjete luftarake, dhe se një trupë e rëndësishme e formuar prej shumë ushtarësh dhe kalorësish do ta shoqëronin. Kur u njoftua nga njerëzit e tij, menjëherë mblodhi ushtarët e vet dhe u dha urdhër të përgatiteshin me nxitim.

Sapo ngjeshën armët, ata u hipën kuajve dhe morën rrugën drejt qytetit Terrouane dhe Ardes. Mendova se duhej t’i ndiqja jo thjeshtë për të parë duart e tyre të lyera me gjak por për të vëzhguar se si i kapnin armiqtë e tyre gjatë sulmeve që bënin për çka gjithë bota fliste shumë. Pra, të hipur mbi kuaj, ne morrëm udhën.

Pesëqind e pesëdhjetë burra shoqëronin kapitenin Thomas. Pritëm të agonte dhe ishim në pritë në rrugën nga ku do të kalonin francezët, e cila ishte në një zonë moçalore. Dhe në agim pararoja n’a paralajmëroi se francezët kishin dalë nga qyteti dhe po drejtoheshin tutje nga kështjella. Pararoja po n’a njoftonte, kur ndërkohë pamë ushtarët e pararojës armike me armët e tyre që shkëlqenin çka ishte një pamje e jashtëzakonshme. Kapiteni Thomas i mblodhi të gjithë njerëzit e tij dhe u mbajti një fjalim.

Fjalim i kapitenit Thomas për ushtarët: “Ushtarë, ju që luftoni për mua, siç e shikoni ne sot gjendemi në skajit ekstrem të tokës. Ne luftojmë për një mbret dhe për një popull që janë qendra e gjithçkaje. Ne kemi ardhur këtu pa sjellë asgjë nga vendet tona, veç vlerën e kurajos dhe të forcës së sprovës. Ja pse ne ndeshemi burrërisht kundër atyre që na luftojnë. 

Edhe pse kundërshtarët tanë duken më shumë se ne, ata s’mund të bëjnë asgjë kundër nesh dhe virtyteve tona. Ne nuk i trembemi barbarëve. Le të tregojmë trimëri dhe të tregojmë se ortodoksët që gjenden në këtë vend më të largët të Europës, arrijnë të bëjnë bëma të mëdha. 

Kështu ne do të arrijmë të bëjmë të njohur lavdinë tonë tek perëndimorët dhe popujt që jetojnë përtej oqeanit dhe kështu ne do të përfitojmë përkujdesjen e përjetshme të mbretërve. Le të shkojmë ushtarët e mi, le të sulmojmë armikun me kurajo e furi, le ti skuqim brigjet e oqeanit me gjakun e armiqve tanë. Përmes aksioneve tona le tu tregojmë atyre se ç’është vlera e burrit, çka çmohet shumë nga grekët…”

Kështu foli Thomas. 

Të gjithë morën zemër dhe u vunë në dy rradhë, ku njërin ia besoi Eleazarit, ushtarit të tij që mbante flamurin dhe rradhën e dytë e kryesoi vetë. Flamurmbajtësit i dha urdhër t’i shpartallonte armiqtë. Së fundi, mori bodigardët e vet dhe menjëherë duke tundur shtizat u hodh mbi armiqtë. Pasi hodhi kundërshtarin e parë që iu shfaq përpara, duke goditur të dytin ai vazhdoi sulmin e tij. Kur heshta iu thye, ai iu sul armiqve me shpatë duke vazhduar me të njëjtën trimëri.

Dhe të tjerët nuk munguan të tregojnë vlerat e tyre si burra trima, të denjë për tu lëvduar. Francezët, edhe pse me kurajo dhe trima, e bënë luftën e tyre pa rregull, të shpërndarë nga sulmi i atyre të ardhur nga Greqia. Eleazari, mbrojtësi i flamurit që i ishte sulur pararojës, kishte krijuar aq hutim në rradhët e armiqve sa ata ia mbathën.

Meqë terreni ishte me rërë, kuajt e atyre që iknin rrëshkisnin dhe kalorësit binin në duart e tyre. Francezët që arrinin të shpëtonin u strehuan në qytetet pranë në Ardes dhe Therouanne. Thomas dhe trimat e tij arritën një fitore të mrekullueshme dhe patën shumë trofe si karro me ushqime, shumë topa dhe shumë armë.

U kapën dhe 30 kalorës me pazmore dhe bashkë me trofetë u kthyen në Boulogne, ku u pritën me thirrjet e fitores. Të gjithë thërrisnin për kurajon dhe famën e tij dhe të kompanisë së tij. Gjatë atij inkursioni u vranë 30 grekë dhe u plagosën 40 prej tyre, ndërkohë që nga francezët kishte 360 të vdekur dhe 100 të plagosur, apo më shumë.

Edhe Thomas u plagos, i goditur në kofshë nga një heshtë. Dy armiq e kishin sulmuar dhe e kishin goditur përballë dhe anash, pa mundur ta hidhnin nga kali. Këto bëma lufte të kapitenit Thomas e bënë atë akoma më të lavdishëm tek mbreti i Anglisë. Ai e konsideronte atë si një nga gjeneralët më të mirë dhe dha urdhër t’i jepnin çdo vit një shumë të madhe parash.

Ditët më pas nuk pata ndonjë ngjarje të shënuar, veç inkursioneve dhe sulmeve të vazhdueshme. Herë kapeshin ushtarët e një kampi dhe herë nga kampi tjetër. Pastaj pagoheshin haraçet dhe ata liroheshin. Këto ishin ngjarjet e luftës së mercenarëve të huaj si dhe të mercearëve që kishin francezët (kronistët francezë tregojnë në shkrimet e tyre se ata që shkonin drejt kështjellës ishin stradiotë shqiptarë nën shërbim të mbretit francez, L. R.).

Aksionet e anglezëve dhe të francezëve nuk kishin ndonjë rëndësi të madhe. Megjithatë pati një betejë të ashpër dhe mizore, aq sa të dyja palët i trajtuan robërit në mënyrë shumë brutale dhe i masakruan mizorisht: as haraçi e asgjë tjetër nuk e pakësoi furinë e tyre, apo të tregoheshin më të mëshirshëm. Përkundrazi, kjo betejë i bëri akoma më të egër të dy popujt.

Dhe ja çfarë ndodhi: Mbreti Henry mendoi se ishte e nevojshme të ngrinte një kështjellë pranë bregut të oqeanit, shtatë milje nga Boulogne dhe njëmbëdhjetë nga Calais, në një vend që kishte një liqen shumë të madh. Por sapo paqja u nënshkrua, të dy mbretërit i kthyen ushtritë e tyre. Shumë njerëz u kthyen në shtëpitë që kishin, të tjerë shkuan në qytete e vende të tjera, duke u shpërndarë secili ku mundej.

Kapiteni ynë Thomas u kthye në Angli, ndërsa unë dhe disa miq të mi kishin dëshirë të ktheheshim në Itali. Kështu i kërkova leje kapitenit Thomas që të largohesha dhe ai më la plot dëshirë duke më dhënë me bujari një kalë dhe para. Ai tregohej gjithnjë i shkathët në çështjet e luftës, madje më me shumë kurajo dhe inteligjencë se ç’mund të mendohet.

Kështu, nga Boulogne u nisa drejt Calais. Pasi përgatita gjithçka për udhëtimin tim, ditën tjetër u nisa. M’u duk me interes të shkoja në Francë duke kaluar nga Belgjika, meqë ky vend nuk ishte në luftë: pothuaj në gjithë territorin e tij zotëronte paqja…»

Kur zbarkoi në Paris, Androniku u habit shumë me parisianët dhe nivelin e qytetërimit, me universitetin e Sorbonne-s si dhe kulturën e një populli. Më pas, ai do t’i drejtohej Venedikut, pranë familjes së tij. Udhëtimi i tij i fundit kishte qenë ai drejt brigjeve të Korfuzit, Patras, Nafplios, ishujt e Egjeut dhe ishujt jonianë. Më pas, në Venecie ai botoi librin e tij me tre pjesë, i cili shumë shpejt humbi në bibliotekat e Venedikut.

Shënime nga ardhja e Sulejmanit të Madh në Gjirokastër dhe sulmet për pushtimin e Korfuzit

Që më 1532, admirali venedikas Andrea Doria kishte sulmuar me flotën e tij Koronin në Peloponez, të cilin pasi e rrethoi e pushtoi atë. «Ai, – tregon Androniku, – kishte angazhuar si ushtarë grekë e shqiptarë të cilat vinin nga rrethinat përreth, duke siguruar jo vetëm qytetin por dhe duke bërë luftë me turqit në qytetet e tjera të Peloponezit…»

Lidhur me rrethimin e ishullit të Korfuzit më 1537 dhe dyndjen e ushtrisë osmane drejt brigjeve të Ilirisë, Androniku i kushton një vemendje të posaçme në libin e tij. Ndër të tjera ai ka shkruar: «Vetë sulltan Sulejmani me trupat e tij të Orientit dhe ato perëndimore përshkoi Thrakën, Maqedoninë dhe me armë të shumta hyri në Iliri ku ndaloi pranë Vlorës, buzë lumit Vjosa, ku ngriti kampin e tij me një ushtri prej 700.000 ushtarësh dhe duke pritur flotën e tij prej 300 anijesh të drejtuara nga Khar al-Din (Mjekërkuqi). 

Ai u dha urdhër njëkohësisht njerëzve të tij nën komandën e vezirit të madh Ajaz, të sulmonin qytetin e Himarës dhe t’i zinin robër banorët e maleve Akrokeraune, duke shkuar ngado në vendet e mollosëve duke pushtuar kështjellat e fortesat dhe të pushtonin fshatrat. Ekspedita u nis por nuk arritën të bënin ndonjë gjë të madhe pasi banorët e Himarës u tërhoqën drejt thepisjeve të maleve ku vranë shumë nga osmanët, të cilët nuk e njihnin atë vend dhe kështu ata u kthyen të handakosur. 

Ndërkohë flota turke la Konstantinopojën dhe u bashkua me shumë anije të tjera duke lundruar në detin e Egjeut dhe të Peloponezit. Ajo kaloi Eubean (Evia), Kretën, Peloponezin, Zakinton, Qefaloninë dhe hyri në gjirin e Ambrakisë. Që andej vazhdoi drejt Korfuzit, në Kaskipi, kaloi anash maleve Akrokeraune dhe arriti në Vlorë pa ndeshur rrugës askënd, meqë venedikasit në ato kohë ishin në paqe me turqit…»

Por shpejt paqja do të prishej.

Kapja e Jonuz Beut nga himariotët

Një episod interesant është dhe ai i përshkruar nga Androniku e që lidhet me të dërguarin e Sulejmanit, ambasadorin Jonuz Beu. Ndërkohë veneciani Andrea Doria kishte nisur anijet drejt Korfuzit që kërcënohej për jetë a vdekje nga rrethimi dhe ata arritën para flotës turke dhe u vunë në mbrojtje. Doria arriti të kapë dhjetë anije turke.

Ishte admirali Jerôme që mbronte Korfuzin. Sulltani u dërgoi ambasadorin Jonuz Beu që tu kërkonte të dorëzoheshin, por nga anijet e tyre ata e qëlluan me shigjeta dhe pastaj me gjyle. Pa mundur të kryente misionin e tij, ai u kthye drejt Vlorës, por rrugës ndeshi anijet e tjera të Andrea Dorias. Pas peripecish, atë dhe njerëzit e tij deti i nxorri në brigjet e Himarës…

Ata që shpëtuan nga mbytja u vranë nga banorët. Jonuz Beu u bëri të ditur se ishte ambasadori i sulltanit dhe atëherë ai u respektua dhe u la i lirë, duke bërë marrëveshje me ta. Kur iku në Konstantinopojë ai do t’i tregonte sulltanit se çfarë kishte bërë flota venedikase dhe sulltani ishte tërbuar shumë…»

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Luftërat, humbjet dhe fitoret e saj!

Cila ishte Perandoria Osmane në shek. XVIII-XIX


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit