Nesër, në orën 18:00, do të luhet derbi derbi i madh i kryeqytetit, mes Partizanit dhe Tiranës. Në “Selman Stermasi” do të ballafaqohen dy skuadra me histori të madhe e dhjetëra tituj kampioni në futbollin shqiptar.
Për Ardian Memën do të jetë derbi i parë si trajner, ndërsa Skënder Gega e kaloi me sukses këtë lloj “nusërimi”, në fazën e parë të kampionatit. Tashmë dihet se Tirana ka shumë kohë pa fituar ndaj rivalit më të madh, Partizanit, ndërkohë që shpresat për ta prishur “syrin e keq” nuk janë aq të mëdha.
Të paktën duke iu referuar situatës aktuale të bardhebluve dhe të kuqve. Të parët renditen në vendin e tetë, me 11 pikë, ndërsa “demat” kryesojnë Superioren, me 31 pikë. Megjithatë, fusha e blertë do të flasë më mirë se askush, edhe pse trajneri Mema ka bërë prognozën e tij…
Kur erdhët trajner, thatë se donit Partizanin në debutim. Ja ku ju vjen ky kundërshtar, por a është momenti i duhur për derbin?
E thashë këtë kur erdha si trajner, sepse doja të jepja një mesazh për lojtarët. Dua të bëj ndeshje të forta, si derbi me Partizanin, kjo ishte motoja e asaj deklarate. Është një përplasje me histori të madhe dhe përcjell mesazh te lojtarët. Edhe kur kam qenë futbollist, i doja ndeshjet e forta.
Tirana ka shumë ndeshje pa fituar dot ndaj Partizanit. Me ju trajner, a është skuadra për ta fituar derbin?
Çdo gjë varet nga futbollistët, por edhe nga unë. Bashkë me lojtarët e shohim si ndeshje radhe, vlen tri pikë, edhe pse ka peshën e vet. Lojtarët duhet t’i bëjnë mirë detyrat. Karikimi për këtë ndeshje është maksimal, kjo dihet. Por, të mos ngarkohemi më shumë se duhet: tri pikë vlen Partizani, si çdo ekip tjetër.
Si është një derbi pa tifozë…
Që kur lashë futbollin, tifozët kanë dhënë spektakël. Më shumë ka pasur spektakël në shkallët e stadiumit se në fushë. Ata kanë luajtur më mirë se lojtarët. Shpresojmë të ndodhë e kundërta nesër, që spektakli këtë herë të jetë në fushë.
A e keni caktuar formacionin?
Mendoj se e kam kristalizuar në kokën time. Do të ketë ndryshime të vogla. Mbrojtja do të jetë e njëjta, mund të lëvizim diçka gjatë lojës. Duhet të tregojmë vigjilencë në këtë repart, sepse golin ndaj Skënderbeut e pësuam nga goditja standarde. Në fakt, në atë rast ishte vendosje jo e mirë e gjithë grupit.
Partizani ka pasur problem me kapitenin Hoxha, ndërkohë që duhet të mbrojë kreun. A e favorizon kjo gjë Tiranën?
Në futboll, çdo lojtar ka peshën e vet. Hoxha është një ndër portierët më të mirë. Natyrisht, Partizanit do t’i mungojë një titular si ai. Ne duhet të bëjmë punë tonë. Duhet të veprojmë mirë para portës së Partizanit, qoftë me Albanin, apo me atë tjetrin.
A do të ishit për lojë të keqe dhe fitore?
Nuk ka trajner, që do nga ekipi të mos luajë mirë. Në fakt, ne kemi luajtur mirë, por kaq nuk mjafton. Futbolli flet me rezultate. Po presim fitoret, unë dhe futbollistët. U bë kohë e gjatë pa fituar. Do të ishte kënaqësi po ta gjejmë fitoren në derbi.
Çfarë i mungon këtij grupi të Tiranës për të fituar?
Nuk dua të bëj analiza para ndeshjes. Futbollistët duhet të përgatiten në aspektin psikologjik dhe të jeni gati për 90 minuta.
Cili është plani juaj në sulm?
Nuk e zbuloj se si do të luaj, as ju nuk mund ta dini. Strategjia ndryshon në çdo ndeshje. Nuk mund të them as se si do të sulmojmë. Puna e trajnerit është ta çojë ekipin te porta, lojtarët shënojnë gola. Për këtë gjë kam punuar me skuadrën para derbit.
A do të luajë Gentian Muça në derbi?
Ai do të jetë pjesë e stafit, por jo për lojë. Uroj të shërohet shpejt. Gentiani nuk është gati për të luajtur. Ruan ekuilibrat në ekip dhe do të jetë pjesë e stafit.
Situata në renditje nuk ju lejon të kënaqeni edhe me një pikë në derbi…
Dëshira është të fitojmë, por në futboll, aq më tepër në derbi, njihen të tria rezultatet. Nuk mund ta parashikoj si del nesër ndeshja me Partizanin. Derbi është i paparashikueshëm.