Pas një serie të gjatë fitoresh radhazi dhe kur mendohej se mund të ishte mundësia më e mirë t’i afrohej Juventusit kryesues (ndeshet me Milan në transfertë), Inter ka humbur në Bergamo, me Atalantën që fiton 4-1.
Në fakt, Inter pak ka bërë për të merituar edhe barazimin, pasi në pjesën e parë mund të kishte pësuar edhe 2-3 gola të tjerë. Vendasit kanë kaluar shpejt në avantazh. Hataboer në minutën e 9-të gëzon tifozët e Atalantas.
Sapo nis pjesa e dytë, Inter përfiton penallti dhe Icardi shënon, duke mposhtur Etrit Berishën, më pas portieri shqiptar do të rezultonte vendimtar me pritjet e tij, duke kontribuar në fitoren e ekipit të tij.
Do të ishte një mbrojtës, pikërisht Mancini, ai që do të shënonte golin e dytë për bergamaskët, që më pas do të rezultonte edhe goli i fitores. Inter nis të sulmojë vetëm në fund, por Atalanta shënon përsëri.
Dhe goditjen përfundimtare ia jep mbrojtësi ynë i Kombëtares, Berat Gjimshiti, që sot ka luajtur titullar. Ishte minuta e 88-të kur mbrojtësi kuqezi i dha goditjen përfundimtare Interit. Më pas Brozovic ndëshkohet me karton të kuq dhe Atalanta shënon edhe të katërtin me Gomez.