Ish-kryeministri i Italisë i ka thënë CNBC-së se ai ka frikë për stabilitetin në Evropë dhe në veçanti stabilitetin në Itali, nëse do të ketë një rezultat jo të mirë nga negociatat e Brexit.
Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, propozoi projekt-marrëveshjen për largimin nga Bashkimi Evropian (BE) të mërkurën në mbrëmje te kolegët e saj. Propozimi ka bërë që katër ministra nga qeveria e saj të jepnin dorëheqjen, mes tyre edhe Dominic Raab, ministri përgjegjës për negociatat e Brexit.
Duke folur për CNBC të enjten, ish-Kryeministri i Italisë, Enrico Letta, tha se një largim i paligjshëm i Britanisë së Madhe nga BE mund të dëmtojë tregjet evropiane dhe të destabilizojë më tej vendin e tij.
“Situata italiane është shumë e paqëndrueshme, shumë e komplikuar,” tha Letta përpara se të shtonte, “Sinqerisht jam i frikësuar nga një stuhi e paqëndrueshme, një situatë e ndërlikuar jashtë që mund të sjellë paqëndrueshmëri në tregje dhe pastaj edhe në Itali. “
Letta tha se çështja e Brexit mund të bëhet një problem i madh sistematik për Evropën nëse ligjvënësit në Britaninë e Madhe nuk e miratojnë projekt-marrëveshjen.
Ish-kreu italian tha se gjithçka tani varet nga Partia Laburiste e opozitës dhe udhëheqësit të saj, Jeremy Corbyn. “Kam frikë se mund të ndodhë edhe që të mos ketë asnjë marrëveshje”.
Letta dha dorëheqjen si kryeministër italian në 2014 pasi partia e tij bëri thirrje për një ndryshim të udhëheqjes. Pasardhësi i tij, Matteo Renzi, u mund në votimet në mars të vitit 2018 dhe pas disa javësh u formua një qeveri e re koalicioni, që përbëhej nga një parti e krahut të djathtë dhe lëvizja populiste Pesë Yje.
Koalicioni kërkon të përmbushë premtimet e zgjedhjeve për të rritur shpenzimet qeveritare në 2019. Kjo ka sjellë përplasjeje me Komisionin Evropian, duke çuar në sugjerime se Italia mund të bëhet një vend tjetër që do të largohet nga BE.
Kryeministrja britanike Tereza Mej ka këmbëngulur se marrëveshja e arritur me Bashkimin Europian është një zgjedhje e bërë në interes të vendit. Ajo premtoi se kjo marrëveshje do të garantojë daljen e vendit nga Bashkimi Europian në kohën e duhur, dhe ka mohuar në mënyrë kategorike mbajtjen e një referendumi të dytë për këtë çështje. Dhe vlera e stërlinës vuan pasojat e situatës politike të krijuar në vend pas dorëheqjes së ministrave, duke shënuar rënie përballë euros dhe dollarit.