MENU
klinika

Deklarata e gjeneralit britanik

Britania: Rusia më e rrezikshme se ISIS

25.11.2018 - 13:04

Rusia është një kërcënim më i madh për sigurinë në Mbretërinë e Bashkuar sesa ISIS, paralajmëron shefi i ushtrisë britanike.

Shefi i ri i ushtrisë, gjenerali Mark Carleton-Smith, beson se disfata e ISIS dhe al-Kaidës nënkupton se Rusia tani përbën një kërcënim më të madh për sigurinë britanike.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Mark Carleton-Smith, 54 vjeç, beson se peizazhi i sigurisë ka ndryshuar pasi Rusia përbën rrezik për Mbretërinë e Bashkuar edhe në aspekte të tjera siç janë lufta kibernetike dhe hapësinore, dhe nuk paraqet vetëm një kërcënim ushtarak.

Duke folur gjatë një vizite me trupat britanike në Estoni, ai tha: “Rusia sot padyshim përfaqëson një kërcënim shumë më të madh për sigurinë tonë kombëtare sesa kërcënimet ekstremiste islamike si al-Kaeda dhe Isil.

“Rusia ka treguar se është e përgatitur të përdorë forcën ushtarake për të siguruar dhe zgjeruar interesat e veta kombëtare. Rusët kërkojnë të shfrytëzojnë dobësitë kudo që t’i zbulojnë ato. ”

Ai tha për The Daily Telegraph: “Shfaqja fizike e kërcënimit islamik është zvogëluar me shkatërrimin e plotë të gjeografisë së të ashtuquajturit kalifat.

“Rusia është përpjekur të shfrytëzojë dobësitë e Perëndimit, veçanërisht në aspektin e hapësirës kibernetike”.

Carleton-Smith tha se Rusia është e gatshme të përdorë forcën e saj për zgjerimin e interesave të veta, teksa po ashtu bën përpjekje “sistematike” për të shfrytëzuar kibernetikën dhe forcën ushtarake nënujore.

Shefi i ri komentoi gjithashtu planet për një ushtri evropiane për të rivalizuar NATO-n. Ai tha: “Unë nuk do të mbështesja asnjë iniciativë që konkurron NATO-n”.

Komentet e shefit të ushtrisë britanike vijnë në kohën e tensioneve të larta mes Perëndimit dhe Rusisë, mbi një varg çështjesh, përfshirë agresionin e Moskës në Ukrainë, dyshimet se ka ndërhyrë në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, sulmeve masive kibernetike në nivel ndërkombëtar, si dhe helmimin e ish-agjentit rus dhe vajzës së tij në Britani.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarat e Sekretarit amerikan të mbrojtjes

“Rusia nuk mund ta zëvendësojë kurrë SHBA-në”

Rezultatet tronditëse të një raporti britanik

“Gjysma e rusëve në Londër janë spiunë të Kremlinit”