Këngëtarja Elvana Gjata ka komunikuar me grupin hetimor përmes një letre drejtuar Prokurorisë së Tiranës, duke shpjeguar arsyet se përse nuk ndodhet në Shqipëri dhe se do të paraqitet shumë shpejt për të dhënë dëshminë e saj.
Burime nga organi i akuzës thanë se letra, që mban kode postare të shtetit gjerman, ka mbërritur në Prokurori rreth 3 javë më parë, kohë që përkon me shuarjen e kërkimit policor, pasi kishte përfunduar afatin 30-ditor që parashikon ligji.
Në letër, Elvana Gjata shprehej se ndodhej jashtë Shqipërisë për arsye shëndetësore, por do të kthehej për të dëshmuar. Ndërsa kishte sqaruar se e ka mësuar nga mediat faktin që kërkohej dëshmia e saj në lidhje me ngjarjen, edhe pse ajo thekson se nuk ndodhej në lokal në momentin kur ka ndodhur, por as më përpara.
Këngëtarja Elvana Gjata ishte shpallur në kërkim policor për vrasjen e ndodhur më 4 tetor te ishBlloku, ku u përfshi edhe i dashuri i saj, Ervin Mata, që po ashtu është i kërkuar për ngjarjen. Por kjo masë policore kishte efekt 30-ditor, siç parashikohet në procedurat standarde dhe është shuar që prej datës 5 nëntor, kur u bë një muaj nga momenti i shpalljes në kërkim.
Megjithatë, dëshmia e saj vijon të konsiderohet me rëndësi për hetimin e për këtë arsye, në momentin e parë që këngëtarja do të futet në territorin shqiptar, kërkohet shoqërimi i saj për të dhënë deklarime për ngjarjen.