MENU
klinika

Incidenti Rusi-Ukrainë

Pse deti Azov është ‘molla e sherrit’?

26.11.2018 - 12:31

Parlamenti i Ukrainës do të vendosë nëse do të shpallë apo jo ligjin ushtarak si rezultat i zemërimit për kapjen e tre prej anijeve të saj detare nga Rusia gjatë natës.

Protestuesit u mblodhën jashtë ambasadës ruse në kryeqytetin Kiev dhe i vunë zjarrin një makine.

Incidenti, pranë ujërave të Gadishullit të Krimesë, shënon një përshkallëzim të tensionit mes dy vendeve. Si rezultat i kësaj, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent. Secili shtet fajëson tjetrin për incidentin ku një numër i anëtarëve të ekuipazhit ukrainas u plagosën.

Forcat ukrainase kanë luftuar separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të vendit, por kjo është hera e parë që dy ushtritë kanë hyrë në konflikt të hapur gjatë viteve të fundit.

Si nisi incidenti? Filloi kur Rusia akuzoi anijet ukrainase për hyrje të paligjshme në ujërat e saj.

Të dielën në mëngjes, dy anije luftarake ukrainase, u përpoqën të lundrojnë nga porti i Detit të Zi të Odesë në Mariupol në Detin Azov, që janë ujëra të përbashkëta mes dy vendeve.

Ukraina thotë se rusët u përpoqën të kapnin anijet, duke i sulmuar ato. Anijet vazhduan drejt ngushticës Kerç, aksesi i vetëm në Detin e Azov, por pati një pengesë të vendosur nën urën Kerç. Rusia e ndërtoi urën që lidh Rusinë kontinentale me Krimenë, në fillim të këtij viti, pavarësisht kundërshtimit nga Ukraina.

Të dielën, Rusia gjithashtu akuzoi anijet për hyrje ilegale në ujërat e saj dhe tha se ishin ndaluar për arsye sigurie. Flota e Ukrainës më vonë tha se anijet ishin sulmuar dhe se 23 ukrainas ishin në bord dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit ishin plagosur.

Shërbimi i sigurisë i FSB-së së Rusisë më vonë konfirmoi se një prej anijeve të saj patrulluese kishte përdorur forcën për të kapur tre anijet e Ukrainës, por tha se vetëm tre marinarë ishin plagosur. Rusia ka akuzuar Ukrainën për shkeljen e normave ligjore duke dërguar anijet në zonë, duke e konsideruar “provokim të planifikuar”.

Sipas një traktati të vitit 2003 midis qeverive në Moskë dhe Kiev, ngushtica e Kerçit dhe Deti i Azov janë ujëra territoriale të përbashkëta. Por kohët e fundit atje, Rusia ka filluar të kontrollojë të gjitha anijet që vijnë nga portet e Ukrainës.

Incidenti ka shkaktuar zemërim masiv në Ukrainë. Të shtunën, rreth 150 njerëz u mblodhën jashtë ambasadës ruse në Kiev, ku iu vu zjarri edhe një makine.

“Ne jemi shumë të zemëruar, duhet t’i kishim shkëputur të gjitha marrëdhëniet diplomatike me këtë vend shumë kohë më parë” tha Oleksiy Ryabov për agjencinë e lajmeve Reuters.

Gjatë një takimi të Këshillit Kombëtar të Sigurisë Kombëtare dhe të Mbrojtjes të Ukrainës, Presidenti Poroshenko i përshkroi veprimet ruse si “të çmendura”. Ai tha se do t’i kërkojë parlamentit të hënën të shpallin ligjin ushtarak, por theksoi se kjo nuk do të thotë një “deklaratë për luftë”. “Ukraina nuk planifikon të luftojë askënd,” tha ai.

Ligji ushtarak mund t’i japë qeverisë fuqinë për të kufizuar demonstratat publike, rregullimin e mediave, pezullimin e zgjedhjeve dhe detyrimin e qytetarëve për të kryer detyra “sociale” të domosdoshme, siç është puna në një strukturë të mbrojtjes.

Ndërkohë, NATO dhe BE kanë nxjerrë edhe deklarata ku i bëjnë thirrje Rusisë që të lejojë hyrjen në ngushticën Kerç.

Pse është deti Azov burim konfliktesh?

Deti i cekët i Azovit shtrihet në lindje të Krimesë, dhe në jug të rajoneve të Ukrainës pjesërisht të zëna nga separatistët pro-rusë. Dy portet e Ukrainës në bregun e saj verior, Berdyansk dhe Mariupol, janë çelësi për eksportimin e grurit dhe produkteve si çeliku, si dhe për importimin e qymyrit.

Presidenti Poroshenko ka thënë: “Nëse ata bllokojnë një anije me produkte hekuri dhe çeliku të Ukrainës nga Mariupoli për një ditë, kostoja është mijëra dollarë,” për Washington Post në shtator.

Hekuri dhe produktet e çelikut nga Mariupoli përbëjnë 25% të të ardhurave të eksportit të Ukrainës, shtoi ai.

Më parë këtë muaj, BE paralajmëroi se do të marrë masa për faktin se Rusia ka inspektuar anijet që vijnë portet ukrainase, pavarësisht traktatit ekzistues që garanton lirinë e lundrimit.

Moska thotë se janë të nevojshme për arsye sigurie, duke treguar një kërcënim potencial radikalët ukrainas.

Më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë në rajonet lindore Donetsk dhe Luhansk pasi separatistët u shpërngulën në prill të vitit 2014. Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë për dërgimin e trupave të saj në rajon dhe për armatosjen e separatistëve. Moska e mohon këtë, por thotë se vullnetarët rusë po i ndihmojnë rebelët.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tensionohen përsëri marrëdhëniet

Incident në Detin Azov/ Rusia sulmon anijet ukrainase

Deklarata e gjeneralit britanik

Britania: Rusia më e rrezikshme se ISIS