Dita e djeshme ishte e mbushur me përballje gjigantësh në Champions League, ndërsa sot spikat vetëm Juventus-Manchester United, që luhet në orën 21:00, në stadiumin “Allianz” të Torinos. “Zonja e Vjetër”, udhëheqëse e grupit H, me pikë të plota, do të presë “Djajtë e Kuq” në ndeshjen e katërt dhe ndoshta për të mbyllur llogaritë.
GRUPI H
Për bardhezinjtë nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm për të marrë kualifikimin matematikor për në raundin e dytë, atë me eliminim direkt të këtij kompeticioni, dy ndeshja para përfundimit të fazës së grupeve. Në rast të fitores, Juventusi, gjithashtu, do të ketë sigurinë e vendit të parë në grup.
Allegri duhet të konfirmojë modulin 4-3-3 të ndeshjeve të fundit, me disa ndryshime të detyruara për shkak të mungesave të shumta. Në mesfushë Khedira mund të luajë nga minuta e parë, si edhe Mandzukiç në sulm. Chiellini është rikthyer, ndërsa Bernardeschi nuk do të jetë gati. Për t’u vlerësuar janë Cancelo, Matuidi dhe Douglas Costa: të tre ende nuk janë të sigurtë për të startuar nga fillimi.
De Sciglio është një kandidat për trashëgiminë e mbrojtësit portugez. Disa informacione mund të nxirren nga seancat e trajnimit të Mourinhos, të cilat konfirmojnë treshen Martial, Pogba dhe Sanchez, pas sulmuesit të vetëm, Lukaku. Herrera kthehet në mesfushë, së bashku me Matic, pas testit të mirë në Premier League.
Arbitri i ndeshjes Juventus-Manchester United do të jetë Ovidiu Hategan, rumuni 38-vjeçar, i cili dy javë më parë drejtoi sfidën e Champions-it mes Barcelonës dhe Interit. Kjo është pjesëmarrja e njëzet e gjashtë në Ligën e Kampionëve për të, si gjyqtari kryesor, ose i katërt.
Juventus dhe Manchester United deri më tani janë përballur 13 herë, me një bilanc prej 6 fitoresh të bardhezinjve (e fundit në ndeshjen pararendëse), 5 fitore të “Djajve të Kuq” dhe dy barazime. Cristiano Ronaldo nuk ka shënuar këtë sezon në Champions League dhe kërkon patjetër të “firmosë”, për më tepër ndaj ish-skuadrës së tij…
Formacionet e mundshme
JUVENTUS (4-3-3): Szczesny; De Sciglio, Bonucci, Benatia, Alex Sandro; Khedira, Pjanic, Bentancur; Dybala, Mandzukic, Cristiano Ronaldo.
MANCHESTER UNITED (4-2-3-1): De Gea; Young, Smalling, Lindelof, Shaë; Matic, Herrera; Sanchez, Pogba, Martial; Lukaku.
Valencia-Young Boys
Valencia shpërdoroi javën e kaluar në fushën e zviceranëve, ndaj sonte është shansi më i mirë për të vijuar luftën për të kaluar grupin dhe kjo bëhet vetëm duke marrë tri pikë. Nëse kombinohet edhe me humbjen e United, Valencia e sheh veten e dyta.
GRUPI E
Pavarësisht fillimit më të keq të kampionatit në shtatë vite, Champions League ka qenë shpëtimi i Bayern Munich, që mbrëmjen e sotme mund të sigurojë kualifikimin nga Grupi E me një fitore ndaj AEK dhe nëse Ajax do të mposhtë Benfica-n.
Bavarezët kanë marrë 2 fitore dhe një barazim në tri ndeshjet e para të grupit dhe do të paraqiten në këtë takim pas fitores së marrë dy javë më parë në Athinë. Pas një periudhe pa asnjë fitore në katër ndeshje të njëpasnjëshme, Bayern ka fituar katër nga pesë takimet e fundit që ka luajtur në të gjitha kompeticionet (4 fitore, 1 barazim).
Gjithsesi, tri nga ato fitore kanë ardhur me vetëm një gol diferencë dhe ata kanë arritur ta mbajnë të paprekur rrjetën e portës së tyre vetëm një herë. AEK, nga ana tjetër, duhet të marrin një fitore në Gjermani për të mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim.
Kampionët e Greqisë nuk kanë arritur të kualifikohen kurrë në raundin me eliminim direkt dhe kanë humbur të tri ndeshjet e Grupit E deri tani. Bayern s’ka humbur kurrë ndaj një ekipi grek, por s’ka fituar asnjë nga tri ndeshjet e fundit që ka luajtur në shtëpi në kompeticionet europiane.
Benfica-Ajax
Është një sfidë jetike për portugezët. Nëse Benfica mposht Ajax, futet totalisht në lojë për kualifikimin, ndërsa Ajax ndoshta do të ishte i kënaqur edhe me një pikë. Një sfidë totalisht e hapur për dy nga ekipet që i kanë dhënë tonin Champions League në të kaluarën.
GRUPI F
Pas dy fitoresh radhazi të marra në Grupin F, Manchester City mund të bëjë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimi me një fitore kundër Shakhtar mbrëmjen e së martës.
Anglezët po kalojnë një formë shumë të mirë, duke fituar nëntë nga dhjetë ndeshjet e luajtura që nga humbja befasuese e pësuar kundër Lyon në javën e parë të Champions League. Gjithsesi, ajo ka qenë humbja e tretë radhazi në shtëpi për “Qytetarët” në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.
Shakhtar, nga ana tjetër, nuk ka pësuar asnjë humbje në gjashtë ndeshjet e fundit që ka luajtur në transfertë (5 fitore, 1 barazim), duke shënuar 20 gola (3.33 për ndeshje). Ndërkohë, në tetë nga dhjetë ndeshjet e fundit të luajtura nga ukrainasit në të gjitha kompeticionet, janë regjistruar mbi 2.5 gola për ndeshje.
Gjithsesi, Shakhtar nuk ka arritur të fitojë asnjë nga shtatë ndeshjet e luajtura në tokën e angleze: 1 barazim, 6 humbje. Madje, ata nuk kanë arritur të marrin asnjë pikë që nga sezonit 2008/09. City kryeson grupin me 6 pikë, ukrainasit janë në vendin e tretë me 2.
Lyon-Hoffenheim
Një ndeshje rivalësh, me Lyon që ka shpërdoruar dy mundësi të mira në dy sfidat e fundit, kur të parën e kishte fituar në “Etihad” ndaj City-t. Është mundësia më e mirë kundër gjermanëve të Hoffenheim, që nuk kanë shumë eksperiencë në këtë kompeticion.
GRUPI G
Viktoria Plzeň duhet të marrë patjetër një rezultat pozitiv, sepse një humbje kundër Real Madrid, e shoqëruar me një fitore të Roma-s ndaj CSKA-së së Moskës, do t’i eliminonte çekët nga Champions League.
Vendasit nuk do ta kenë aspak të lehtë të marrin pikë kundër kampionëve në fuqi të Europës, duke parë se kanë marrë vetëm një fitore në shtatë ndeshjet e fundit të fazës me grupe të Champions League të luajtura në shtëpi (1 fitore, 3 barazime 3 humbje).
Plzen mban vendin e fundit në grup me 1 pikë, ndërsa spanjollët kanë 6 pikë. Ndeshja e luajtur para dy javësh në Spanjë është fituar me rezultatin 2-1 nga Real Madrid, që do të paraqitet në takimin e mbrëmjes së të martës me një trajner të ri në stol.
Santiago Solari ka marrë vendin e Julen Lopetegui dhe ka drejtuar ekipin në fitoren 4-0 të marrë në Kupën e Mbretit kundër Melilla-s dhe atë 2-0 të marrë në kampionat kundër Valladollid. Real, në drejtimin e tij, i ka dhënë fund një ecurie prej pesë ndeshjesh pa fitore në La Liga, ecuria më e keqe e Real në kampionat që nga 2009-a.
Për sa i takon ndeshjeve në transfertë, madrilenët kanë arritur të marrin vetëm dy nga shtatë ndeshje të luajtura në këtë sezon, duke mos arritur të shënojnë gol në tri ndeshje.
Real nuk ka pësuar gol në vetëm një nga ato ndeshje, ndërsa 8 nga 12 golat e pësuar kanë ardhur në pjesën e parë. Plzen, nga ana tjetër, ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit zyrtare që ka luajtur kundër ekipeve të La Liga-s (1 fitore, 1 barazim, 5 humbje).
CSKA Moskë-Roma
Një ndeshje shumë e rëndësishme për vendasit. Rusët kanë mposhtur Real Madrid në shtëpi dhe besojnë se mund ta bëjnë edhe kundër Romës dhe, në rast suksesi, do të ishin totalisht në garë për të kaluar grupin. Edhe kjo një ndeshje e hapur, pasi italianët janë një ekip me luhatje.