Kombëtarja vijon të ketë problem para ndeshjes me Skocinë, teksa humbet edhe një futbollist. Ermir Lenjani ka braktisur përfundimisht grumbullimin e Kombëtares, pasi nuk ia ka dalë të jetë i gatshëm për dy sfidat e radhës.
Ai erdhi i dëmtuar nga ekipi i tij Sioni dhe ditën e djeshme zhvilloi një seancë të diferencuar së bashku me Eros Grezdën. Pas konsultimit me stafin mjekësor të ekipit përfaqësues, mbrojtësi i krahut të majtë vendosi të kthehej sërish në Zvicër.
Anësori i majtë, i cili ka luajtur edhe si sulmues krahu kohët e fundit, nuk do të rrezikojë ta pësojë më keq. Pas Loret Sadikut, Ramadanit që ka dëmtuar dorën dhe Balliut që nuk e la Metz-i, tashmë është radha e Lenjanit për të lënë grumbullimin e ekipit tonë përfaqësues.
29-vjeçari ishte një nga futbollistët më në formë momentalisht, pasi po luante rregullisht dhe kishte gjetur dhe rrugën e rrjetës. Mbetet për t’u parë se kush do ta zëvendësojë prishtinaliun.
Në seancën e sotme stërvitore, Panucci ka hasur probleme dhe me Eros Grezdën dhe Migjen Bashën. I pari ka probleme dhe vazhdon të stërvitet diferencuar. Nga krahu tjetër, mesfushori shqiptar ka nisur me një ritëm më të lehtë, pasi luajti për 90 minuta me Arisin në ndeshjen e së hënë.