Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se evropianët nuk mund të mbrohen pa një “ushtri të vërtetë evropiane”.
Në një vizitë në ish-Frontin Perëndimor në Verdun, ai tha se Rusia kishte treguar se ishte një kërcënim dhe Evropa duhet të ishte në gjendje të mbrohej e vetme.
Mbretëria e Bashkuar, është kundër kësaj ideje, për shkak të rrezikut potencial të krijimit të një strukture paralele me NATO-n.
Presidenti Macron ka paralajmëruar tashmë se evropianët nuk mund të mbështeten më tek Shtetet e Bashkuara për t’i mbrojtur ata dhe ai e rihapi këtë temë të martën, në përgjigje të vendimit të Presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga një traktat bërthamor i vitit 1987 me Rusinë.
“Kush është viktima kryesore? Evropa dhe siguria e saj. Dua të dialogojmë me Rusinë lidhur me çështjen e sigurisë, që është një vend që e respektoj, një vend evropian, por Evropa mund ta mbrojë veten pa u mbështetur tek Shtetet e Bashkuara. ” tha presidenti francez.
A do të ketë një ushtri evropiane?
Jonathan Marcus, nga BBC; mendon se vendet evropiane nuk kanë vullnetin e duhur politik ose mundësitë ekonomike për të shpenzuar për mbrojtjen.
Sipas tij, thirrja e Presidentit Macron rrjedh nga dy faktorë: mbështetja e tij për projektin evropian nga njëra anë, dhe tmerri nga administrata e Trump nga ana tjetër.
I pyetur lidhur me këtë, zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas vuri në dukje një projekt të ri të BE në fushën e mbrojtjes dhe misionet paqeruajtëse të BE-së përtej kufijve të Europës.
Ai u tha gazetarëve në një konferencë “Ky është Komisioni që propozon shumë nisma për ndërtimin gradual të një identiteti më kuptimplotë në këto kohë të vështira gjeopolitike”.
Schinas shtoi: “Unë nuk mendoj se kjo do të fillojë me një ushtri të BE”.