MENU
klinika

Takimi Shqipëri-Kosovë

Mbledhja e dy qeverive, pikënisje e bashkëpunimit

24.11.2018 - 12:52

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë njoftuar se në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, pritet të arrihet marrëveshje që bizneset të mos kenë telashe dhe barriera të panevojshme.

Të hënën në Pejë do të mbahet mbledhja e radhës së dy qeverive shqiptare, Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, ndërsa një ditë më parë, të dielën, do të bëhet zbulimi i shtatoreve të drejtuesve dhe heronjve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku do të jenë pjesëmarrës drejtuesit e dy shteteve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se në takimin e dy qeverive, do të trajtojnë tema të ndryshme, do të bëjnë një analizë e asaj se çka është bërë deri tani dhe do të kenë disa marrëveshje të reja, që do të jenë me rëndësi për të ardhmen e të dy vendeve.

Ai pranon se ka pasur vështirësi në konkretizimin e marrëveshjeve të arritura në takimet e mëparshme të dy qeverie, por beson se kjo logjikë do të ndryshojë në të mirë të të dy vendeve. /Konica.al/