MENU
klinika

Miqësorja

Mjafton një penallti, Shqipëria mund Uellsin

20.11.2018 - 21:53

Më në fund, ka dritë në fund të tunelit për Kombëtaren shqiptare. Pavarësisht se nuk ka shkëlqyer, ekipi kuqezi ka fituar 1-0 miqësoren ndaj Uellsit, duke i dhënë fund ecurisë negative. Një fitore që vjen si ngushëllim pas humbjes së thellë ndaj Skocisë, për më tepër një rivali që është i 18-i në botë.

Ndoshta koha me shi apo edhe rezultatet negative të fundit, por nuk kishte ndodhur kurrë që në “Elbasan Arena” të kishte një numër kaq të vogël tifozësh, pavarësisht se në fushë do të zbriste Gareth Bale.

“Tifozat Kuq e Zi” kanë qenë besnikë, por edhe këta ndryshe nga takimet e shkuara, sot ishin pak në numër. “Kërkojmë të djersitni fanellat kuqezi, rezultatet nuk kanë rëndësi!” – shkruhej në parrullën e tyre.

tifozat kuq e zi

Pjesa e parë është mbyllur në barazim pa gola, ka pasur tension në fushë, Lila Veseli dhe Xhaka janë ndëshkuar me kartonë të verdhë. Rastet për gol kanë qenë të pakta për të dyja skuadrat. Ndërkohë që në krahun është ndëshkuar King.

Pjesa e dytë nis mirë njësoj, janë miqtë që rrezikojnë të parët. Por më pas kuqezinjtë rritin ritmin dhe vjen penalltia. Xhaka pengohet në zonë dhe gjyqtari nuk heziton. Balaj nga pika e bardhë gjuan saktë në qendër dhe 1-0.

Uellsianët bëhen nervozë, Ginter, lojtari që theu rekordin me më shumë ndeshje tek Uellsi, ndërhyn keq ndaj Uzunit dhe merr të verdhë. Në minutën e 59-të në fushë hyn Bale, që menjëherë ndihet në lojën e miqve.

Tanët për minuta të tëra gjenden në panik, mbrohen, tentojnë ndonjë kundërsulm, por pa rezultat. Panucci heq të palodhurin Grezda dhe fut Lilajn, kur më parë kishte futur edhe Memushajn në vend të Lilës.

Tanët nisen sërish të organizohen, por nuk godasin portën. Në 10 minutat e fundit, Bale & Co sulmojnë pa fund, madje ylli i Real Madrid merr karton të verdhë. Kuqezinjtë mbrohen mirë në fund, madje qarkullojnë më mirë topin dhe fitojnë 1-0.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN