MENU
klinika

Përplasja Rama-Meta

Mosdekretimi i Lleshit/Gjata: Vendimi i presidentit, kushtetues

04.11.2018 - 22:09

Konstitucionalisti Çlirim Gjata e cilëson kushtetues vendimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të mos e dekretuar Sandër Lleshin, propozimin e Kryeministrit për ministër të Brendshëm.

Në një reagim juristi Gjata kujton se kreu i shtetit nuk është noter i Kryeministrit për të miratuar çdo kandidaturë që i dërgohet, aq më tepër me dy rastet e mëparshme të ministrave të Brendshëm.

“Vendimi është kushtetues dhe në këto pozita Kryeministri duhet të dërgojë një kandidaturë tjetër. Presidenti i Republikës nuk është noter i Kryeministrit. Kryeministri ynë shquhet për dërgime të emrave me probleme penale, siç kanë qenë propozimet për deputetë dhe kryetarë bashkish.

clirim-gjata-konica.al
 

Prandaj edhe Presidenti, ndoshta edhe për shkak të historisë së dy ish-ministrave të Brendshëm, është menduar gjatë për këtë propozim. Në kushtet që jemi, ku Presidenti nuk e dekretoi këtë kandidaturë, Kryeministri duhet të dërgojë një kandidaturë tjetër. Por presidenti duhet të japë arsyet përse nuk e dekreton propozimin e Kryeministrit për z. Lleshi, pasi posti i ministrit është detyrë politike.

Nëse Kryeministri nuk është dakord me këto arsye që do të japë Presidenti, mund ta çonte vendimin në Gjykatë Kushtetuese. Por çështja e Gjykatës Kushtetuese për Kryeministrin është bërë si ‘shejtani me djepin’. Në kushtet kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese do të duhet të çojë kandidaturë tjetër”, sqaron Gjata.

“Meta vazhdimisht nuk mund t’i refuzojë. Ne po flasim për një shtet serioz. Besoj që Presidenti Meta bën pjesë në atë grup politikanësh që nuk tallen me Kushtetutën.
Asnjë president nuk do t’ia lejonte vetes të bënte një gjë të tillë. Por ama Presidenti ka detyrimin t’ia kthejë kandidaturat Kryeministrit, kur ato kanë një ‘cen në biografi’, po e perifrazoj përmes kësaj shprehjeje mosplotësimin e kritereve për të marrë besimin e Presidentit.

Rama-ilir-meta-konica.al
 

Madje, një president serioz kështu duhet të veprojë dhe me ligjin e teatrit dhe në këtë rast me këtë dekret ka treguar se është vërtet president serioz”, thotë juristi. Gjata shpjegon edhe rastin kur ish-Presidenti Nishani përdori të gjithë afatin kushtetues, por në fund e dekretoi Fatmir Xhafajn si ministër.

“Nuk e di cilat kanë qenë informacionet që z.Nishani ka pasur për z.Xhafaj. Nuk mund t’i vendos përballë juridikisht z.Nishani me z.Meta. Por unë mendoj që z.Nishani ka pasur parasysh shumë gjëra, por të cilat nuk kanë qenë kritere ligjore, por procedurale. Një nga ato kritere, unë kujtoj pasi edhe opozita e kishte ngritur si çështje, ishte fakti që z.Xhafaj kishte punuar hetues përpara viteve 1990, por ky nuk është kriter ligjor për të mos u bërë ministër.

Ndërkohë që z. Meta nuk i ka bërë publike kriteret që e çuan në vendimmarrjen për të mos e dekretuar z.Lleshi. Por edhe një herë dua të theksoj se Presidenti është në të drejtën kushtetuese për këtë vendim që ka marrë.