Pas tri fitoreve në grup, Arsenal është ndalur në ndeshjen e katërt në shtëpi nga Sporting Lisbonë, në një barazim 0-0. Gjithsesi, londinezët janë kualifikuar për në fazën tjetër me këtë rezultat. Në barazim ka përfunduar edhe Betis-Milan, por në shifrat 1-1, rezultat që mban në lojë kuqezinjtë për të ecur më tej.
Ishin vendasit e Betis ata që kaluan të parët në avantazh që në minutën e 12’ me Lo Celso. Milan zgjohet në pjesën e dytë dhe pas disa mundësive të mira gjen golin e barazimit me Suso në të 62-ën. Gjithsesi, ishin vendasit ata që rrezikuan portën e Reina-s në minutat e fundit, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Arsenal ka barazuar 0-0 me Sporting dhe ka siguruar kualifikimin për në fazën e nokautit të kompeticionit. Ndeshja pritej të ishte me gola teksa të dy ekipet njihen për futbollin sulmues dhe spektakolar, por mesa duket rotacioni ka bërë që të mungojë kualiteti në fushë.
Pas një pjese të parë të mërzitshme, ku mund të përmendet vetëm dëmtimi i tmerrshëm i Danny Welbeck, që doli nga fusha me barelë, ndeshja u ndez pas pushimit dhe Aubameyang mund të kishte kaluar në avantazh vendasit me dy mundësi shumë të mira. Por minutat kaluan dhe rezultati mbeti i pandryshuar.
Bayern Leverkusen ka mposhtur Zurich 1-0 duke marrë kryesimin e grupit A. Të dy skuadrat kanë siguruar kualifikimin për në fazën e nokautit. Celtic ka marrë një fitore të madhe 2-1 ndaj RB Leipzig brenda në shtëpi duke rritur shpresat për të zënë vendin e dytë të grupit B, ndërsa Salzburg ka shpartalluar Rosenborg me rezultatin 5-2.