MENU
klinika

Premtimi i bujshëm i Ramës

OSHEE në bursë, projekt apo mirazh?

06.11.2018 - 09:51

Në fillim të vitit, kryeministri Edi Rama ka thënë se qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të bëhen aksionerë në kompaninë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

“Kemi nisur punën për një ofertë publike aksionesh dhe shpresojmë që deri në fund të këtij viti të jemi gati t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë mundësinë e pjesëmarrjes si aksionerë në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, me ambicien që vitin e ardhshëm, kompania të kthehet në një kompani ku pjesëmarrja masive e qytetarëve si aksionerë do të ketë një benefit reciprok për kompaninë dhe për qytetarët, të cilët do të mund të përfshihen në aksioneratin e kompanisë si kontribues dhe si përfitues”, tha ai.

Megjithë optimizmin e kryeministrit për të nxjerrë aksionet e OSHEE-së në ofertë publike, deri tani ky hap historik për tregun financiar duket ende shumë larg. Ekspertë të Ministrisë së Energjisë thonë se për realizuar listimin në bursë duhet që fillimisht të përfundojë ndarja e kompanisë.

Aktualisht, është bërë vetëm ndarja ligjore e OSHEE-së, ndërkohë që duhet të përfundojë ndarja e aseteve dhe ndarja financiare. Kompania e parë e krijuar nga ky proces është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, që do të ketë objekt të punës shpërndarjen e energjisë, duke përfshirë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit.

Kompania e dytë është Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe do të merret me blerjen dhe menaxhimin e energjisë në tregun e lirë. Kompania e tretë është Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe do të ketë në fokus furnizimin me energjisë rë klientëve fundorë që veprojnë në tregun e rregulluar.

Në vazhdim, do të shihet se cila prej këtyre 3 kompanive do të zgjidhet për t’u listuar në bursë. Për këtë do të kryhen studime në bashkëpunim me institucionet e specializuara ndërkombëtare.

Megjithatë, sipas ekspertëve të tregut financiar, listimi i OSHEE në Bursë është një një hap më i vështirë nga sa e paraqit qeveria. Është fakt se kompania ka nevojë për financime, por për shkak të problemeve të njohura të menaxhimit dhe performancës, e ka të vështirë të gjejë akses në tregun bankar dhe atë financiar.

Listimi në Bursë do të kërkojë përmirësime rrënjësore në administrimin dhe transparencën e kompanisë.

Që nga fillimi i këtij viti, Shqipëria ka një bursë funksionale, por në të, për momentin, tregtohen vetëm letrat e borxhit të qeverisë shqiptare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shifrat e 6-mujorit

OSHEE, 267 mln euro arkëtime