Pas Austrisë, edhe zyrtarët bullgarë po sinjalizojnë se vendi nuk do të nënshkruajë një pakt global për të nxitur migrimin e sigurt dhe të rregullt, duke thënë se kjo do të dëmtonte interesat kombëtare.
Kryetari i partisë më të madhe në parlament, GERB, Tsvetan Tsvetanov, tha pas një takimi të koalicionit qeveritar se “pozicioni i Qeverisë së Bullgarisë do të jetë të mos i bashkohet paktit global të Kombeve të Bashkuara për migrimin”.
Partneri i koalicionit GERB, Patriotët e Bashkuar, kundërshton fuqishëm paktin e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se kjo përbën një kërcënim për interesat kombëtare.
Parlamenti i Bullgarisë do të flasë për paktin të mërkurën.
Pakti Global për Sigurinë dhe Migrimin e Rregullt, i cili nuk është ligjërisht i obligueshëm, është finalizuar nga Kombet e Bashkuara në korrik. Ai pritet të miratohet formalisht në një takim në Marok, më 11 dhe 12 dhjetor.
Qeveria e Bullgarisë ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër migracionit masiv në Europë. Vendi ballkanik ka mbyllur kufirin me Turqinë me një gardh me gjemba për të ndaluar fluksin e kalimeve të paligjshme të emigrantëve.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Turqisë thotë se roja bregdetare e vendit ka nisur një mision kërkimi dhe shpëtimi për të gjetur 10 emigrantë të cilët janë raportuar të humbur pasi barka e tyre u mbyt në Detin Egje.
Megjithëse numri i tyre është zvogëluar në vitet e fundit, migrantët ende përpiqen të kalojnë në Greqi nga Turqia, me shpresën se do të shkojnë në vendet e tjera evropiane.
Para pak javësh, Austria tha gjithashtu se do të refuzonte të nënshkruante një pakt ndërkombëtar që synonte përmirësimin e bashkëpunimit global mbi migracionin, duke u bashkuar me SHBA dhe Hungari që e kanë kundërshtuar marrëveshjen e OKB.
Sebastian Kurz, kancelari konservator i Austrisë, tha se vendi i tij donte të mbante nën kontroll fluksin e migracionit dhe nuk do të nënshkruante një pakt që synon të miratohet zyrtarisht në një konferencë në dhjetor.
Dhjetorin e kaluar, Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga pjesëmarrja në negociatat mbi kompaktin, ndërsa, në korrik, Hungaria ka bërë të njëjtën gjë.
Edhe Ministri i brendshëm i Polonisë, Joachim Brudzinski, ka thënë këtë muaj se Varshava duhet gjithashtu të tërhiqet nga pakti, duke argumentuar se ai mund të nxisë imigracionin e paligjshëm. Qeveria konservatore e Australisë pritet të refuzojë të marrë pjesë po ashtu.