Ditë shumë intensive për ekipet kombëtare, por sidomos për atë A. Disa futbollistë kanë pasur probleme me dëmtimet, Balliun dhe Durmishajn nuk i kanë lejuar klubet e tyre, ndërsa Loret Sadiku nuk e ka ndjerë të vinte, të paktën për këtë grumbullim.
Sikur të mos mjaftonin këto, edhe Lenjani la grumbullimin i dëmtuar, Grezda ka probleme, Basha është i pezulluar për Skocinë dhe në ekipin kombëtar ka emergjenca.
Ndaj futbollisti 19-vjeçar Albion Ademi ka lënë ekipin Shpresa të Shqipërisë dhe ka kaluar te Kombëtarja A, pasi e ka dashur trajneri Christian Panucci për dy ndeshjet e radhës. Një vendim, që ka sjellë pakënaqësi te trajneri i kombëtares U-21, Alban Bushi, siç shkruan “Procesi sportiv”.
Albion Ademi është një lojtar i talentuar që aktivizohet me Inter Turku në Finlandë. Ai aktivizohet si sulmues i të dy krahëve dhe trajneri italian e ka dashur në skuadër për ndeshjet me Skocinë dhe miqësoren me Uellsin.
Më parë Ademi ka luajtur për të gjitha kombëtaret e moshave në Finlandë, por tani ai ka marrë pasaportën shqiptare dhe do të luajë për kuqezinjtë. Shqipëria U-21 ka dy ndeshje miqësore me Maltën në program, ndërkohë që Duka ka paralajmëruar sot se do të ketë lëvizje në kombëtaret e moshave.