MENU
klinika

Ndryshim Stadesh

Pse libri sot është në krizë?

15.11.2018 - 14:28

Nga Eugent Kllapi

Në ”Logjikën e Mbyllur Gutembergiane” libri ishte totalisht në tutelën dhe privilegjimin apo censurën e mbretit si institucion. Krahas censurës dhe pengimit të individëve novatore, apo kundra sistemit absolutist kishte të mirë se libri kishte cilësinë e duhur për t’u hedhur në treg falë një politike që ndiqej nga disa shtëpi botuese të privilegjuara dhe këtu të drejtën e kishte mbreti.

Mbreti, mëkëmbësi i Zotit dhe aleat i fesë jepte të drejtë se kush shtëpi botuese duhet të ekzistonte dhe kush jo, njësoj si në komunizëm, logjikë centraliste.

Libri atëherë ishte i shenjtë, kurse tani në krizë. Por a është libri në krizë apo letra në krizë?

Në kushtet kur kapitalizmi ‘‘mëkatar’’ filloi të ngrejë krye afro shekullit të 17 u  pa se mbreti nuk kishte më shumë në dorë, liberalizmi që po ngjizej nga pak e më tepër po e lëshonte librin në dorë të shtëpive të tjera botuese, në dorë të matrapazëve dhe në dorë të fatit. Vulën për cilësinë e librit nuk e kishte më mbreti si institucion, pra shteti, por privati.

Deri në këtë kohë, bindja se librat doktrinarë janë më të vlefshimit nuk ishte hequr. Librat më me vlerë ishin ata fetarë, për vetë kohën këta jepnin virtytet më të vlefshme të njerëzve të zgjedhur që jepeshin në formë vlerë, morali dhe të drejtë nëpërmjet librave. Ndonjëherë shkiste pa dashur ndonjë libër mëkatar që nuk varej nga Papa apo nga mbretaria, qytet-shteti dhe mbijetonte si i ndaluar.

Nëndorazi shkitnin më pas kudo libërtha letrarë kulturorë të pacensuruar fije-fije që flisnin për mëkate si histori dashurie, libra aventurash, libra dramash, tragjedish gjithfarësh për njerëzit e thjeshtë, apo libra ‘’herezish‘’nga më të ndryshme që i kishin çuar Galileon në internim, apo Kopernikun në turrën e druve.

Feja nuk linte vend për njeriun, por ai njehësohej vetëm nëpërmjet Zotit, dhe institucioni fetar si dhe mbretëror ishte e përzgjedhur për t’ia dhënë këto vlera njeriut, njeriu ishte hiç asgjë, Zoti e kthente atë në njeri.

Në tërë Europën u shtuan, aq shumë librat e pacensuruar sa borgjezia e re e pacensuruar dhe devijante po fuqizohej shumë me tepër se aristokracia e vjetër sipas parimeve të sistemit absolutist.

Ballë për ballë ishin dy anë të kulturës, ‘’mëkati’’ dhe ‘’shpëtimtari’’, e mira dhe e keqia, e vlefshmja dhe bajatja, midis humnerës dhe piedestalit, midis mikut dhe armikut, ky është dyel me përballje që vazhdon dhe sot me kulturën e masave dhe kulturën klasike. ‘’Papa çkishëron Luterin, Luteri çkishëron Papën’’, kultura masive shan kulturën klasike megjithëse ajo ka vlera të padiskutueshme, kultura klasike shan kulturën masive megjithëse ajo ndiqet nga shumësia e njerëzve që e duan prandaj e ndjekin.

Nga ana tjetër, teknologjia po nxirrte jashtë loje shtëpitë e privilegjuara e sidomos ata pasues të denjë të kishës që kishin kaluar gjithë librat klasikë duar pas duar duke i kopjuar në detaj si artistë. Si për çudi, që nga koha e romantizmit dhe me hov nga familja Medici artistët që nxorrën krye e i hodhën veprat e tyre në zjarr, po rigjeneroheshin dhe nëndorë po sfidonin hapur murgjit dhe priftërintjë.

Bota u çmend thoshin ata, po merr hov libri i dashurisë, mëkati më i madh, vjershat e dramat që shprehin mëkatet më të mëdhaja. Njerëzit nuk e duan më librin po ca forma maskarallëqësh që quhen libërtha.

Nuk mund të mos më sjellë pështirosje kur shoh nënë e bijë që lexojnë libra romantikë dhe aventurierë ia behte një prift në Angli.

Pra si padashur, klasikja ishte thyer në moderne, kjo ndodhi dhe me pikturën, muzikën, artet e bukura. Aristokracia po e humbte dalëngadalë kuptimin përballë vrullit të liberalizmit të kulturës së masave. Absolutizmi po mundej pak nga pak me luftë të heshtur me Kapitalizmin si rend.

E degjeneruar dhe pa pikë vlerë, pa pikë referimi për ndriçimin e njeriut hidhet shkolla e Frankfurtit në aspektin kulturor me mendimtarë si Adorno apo Hokeiheimer, më pas me Markuze e shumë të tjerë që me anësi neomarksiste dhe iluministe donin që vlera kulturore të jetë ajo klasike përballë një mendimtari si Poper që shikonte anën realiste, pragmatiste dhe të liberalizmit, thjeshtësinë e konstruktit të realitetit. Socialpsikologët nuk e shohin si degjenerim, por si një traditë e njeriut gjithfarësh që duhet të krijojë kulturën masive nga ku marrin hov edhe librat.

Gjithë sulmojnë këtë vlerë që padashur me qëllim moderniteti bën që të zhvleftësojë interesin e kryeveprave të stisura mirë të Aristokracisë.

Ashtu si rakia dhe vera e mirë kjo kulturë kishte kaluar në shumë vite pa ishte pjekur mirë. Nga ana tjetër një uthull sipas tyre shërbehesh si verë 100 vjeçare dhe kjo e kishte emrin kulturë masive. Kështu pretendohej.

Falë një shpikje të reklamimit në gazetë filloi loja e marketingut dhe shumë shpejt kultura masive nuk ndalej më krahas informacionit hidheshin dhe reklama të kompanive tregëtare apo të kapitaleve të ndryshme. Dhe pas një shekulli kjo lojë marketingu fillon të ashpërsohet e të marr hov, aq shumë, sa kemi reklamën më të rëndësishme se vetë produktin.

Vepra e fundit e përballjes së kulturës klasike dhe moderne në muzikë është ajo e shpikjes së I-phone e Steve Jobs, ku ai refuzoi kategorikisht që të ndihmonte shtëpitë diskografike për t’i shpëtuar ato nga falimentimi i tyre, pasi gjithë këngët tani po preferoheshin të dëgjoheshin në këtë shpikje. Shtëpitë diskografike kishin monopolizuar tregun siç i kishte mbreti shtëpitë botuese dikur nën diktatin e tij.

Duke e kthyer analizën te libri e njëjta gjë po bëhej me të. Me të njëjtën bujë si spostoi murgjit, Gutembergu me shumëfishimin mekanik të shtëpive botuese po sfidohej nga një gutemberg elektrik më pas elektronik e automatik që falë informatikës arrijmë te ‘’kompiuteri gutemberg’’ që i duket vetja perandor.

Tashmë kemi harruar të shkruajmë me letër e laps në dorë dhe kemi wordin që na afron gjithçka. Pse nuk mbajmë letër e laps që të shkruajmë? Pse më shumë se libra në dorë mbajmë telefona dhe laptop, ipad?

Sigurisht që teknologjia na ndihmon që të bëjmë shumë procese në një, ashtu si telefoni i ri po na ofron shumë gjëra në një, në mos të gjithë botën në një telefon.

Radioja, kinemaja, televizioni po ndjehet i kërcënuar nga ky mostër i quajtur telefon që  kushedi mund të bëhet dhe ‘’avion telefon’’ në të ardhmen në robotizim.

Teknologjia e spostoi gazetën, radion, telegrafin, kinemanë, po fillon dhe me televizionin, në një 1 pajisje multi të quajtur telefon. Edhe televizioni në kohën më të mirë spostoi gazetën, gazeta spostoi revistën, revista spostoi telegrafin, telegrafi spostoi letrat e postës e kështu arrijmë te majmuni që guri i tij spostoi thonjtë e tij. Me anë të gurit ai nuk kacafytej më me kafshët e egra me thonj, por krijoi armë për luftë.

Dikur të gjithë njerëzit shkonin te telegrafi dhe dëgjonin, të gjithë në kinema, të gjithë dëgjonin radio, të gjithë donin dhe lexonin gazetat dhe ishin shumë të zënë me informacionin gazetaresk 24 orë. Të gjithë në biblotekë duke lexuar revistat e specializuara të Lumierëve, të gjithë fëmijët para televizorit, dhe tashmë të gjithë 24 orë njerëzit para telefonit. Ja ku mëkati më i madh u bë vlerë më e madhe, dikur ishte mëkati më i madh libri, më pas gazeta, revista, më pas mëkati më i madh televizioni sa italianët dhe francezët thoshin më mirë sodis në natyrë, se të lexoj gazetat e shpifura, apo televizionin. Më mirë lexoj një libër sesa të shikoj telefonin thonë klasikët po a ndodh përsëri kështu?!

Më parë nuk shihnim dot shumë se teknologjia nuk na linte dhe nuk e kishim, po shkruanim shumë dhe lexonim shumë në letër, tani njëkohësisht po shkruajmë shumë dhe po lexojmë shumë po pa letrën. Teknologjia e ka sfiduar letrën. Pra kriza është e letrës jo e librit, jo e leximit, jo e informacionit. Lexohet, po jo në letër. Teknologjia po e sposton atë. Plus letrën po sposton shumë mirë shtypshkrimin me shtypshkronjën postgutembergiane, njerëzit në të, bojrat që duhen, pastrueset e shtypshkronjës, rojën e shtypshkronjës, stafin e shtypshkronjës, marketingun, adminsitratorin, sekserin, punëtorin që duhet t’i bëjë specialisti i komunikimit shtypshronjës.

Gjithë kjo shtypshkronjë është një armatë që duhet të paguajë, kur një telefon e bën atë që ëndërron të bëhet shkrimtar. Nuk ka rëndësi në është i mirë apo i keq, rëndësi ka që i jep kushtet për t’u bërë.

Në kushtet e njeriut kapitalist, ndryshe nga ajo e absolutizmit me statuse të përcaktuara, shikohet se ai është më dinamik, ka më shumë punë, më pak kohë të lirë, më i vrullshëm, dhe më konfuz në shumë raste.

Tashmë libri i ri po përballet me telefonin e ri. Botuesi i ri është njësoj si ai murgu i dikurshëm. Si ai gazetari i dikurshëm që ankohej për  gazetarin e ri të blogut. Cilësia e vjetër gjithmonë po ankohet për cilësinë e re. Këngëtari i vjetër po ankohet për tallavanë, regjizori i vjetër për muzikën e recitimit dhe perfomancës me cerek oktavë zë. Mozarti do ankohej për Rita Orën, dhe Rita Ora kur të plaket do të ankohet për ‘’muzikën tekno’’ ku këngëtarët bëjnë sikur përtojnë edhe kur recitojnë këngën. Impresionstët do të shikojnë vëngër kubistët dhe romantistët do të ankohen ashtu romantikisht.

Mekaniku i vjetër përballet me mekanikun modern me mikroprocesorë në kokën e zbarrave, elektricisti i vjetër më elektricistin me pajisje elektronikë të reja. Njeriu i vjetër i librit me njerun e ri të internetit. I vjetri i strategjive miqësore me të riun teknolog që shpik marketing nga hiçi i kompiuterit. Pikturat surealiste me ato të klasikëve. Kështu mund të rreshtohen ngado argumenta por siç është parë në kritikë edhe aristokracia e ka luftuar borgjezinë për dëmet që mund t’i sillte statusit dhe vlerës. Edhe e reja nuk pyeste për marshin e saj përkundrejt së vjetrës.

Radha vazhdon, e reja përqesh të vjetrën, koha përqesh kohën, digjitalizimi përqesh letrën e librit. Telefoni përvecse shumëfunskionësh mbahet dhe në xhep, është më komod, më praktik, më në funskion se një libër i rëndë thotë rinia dhe përqeshin radiot e mëdha të dikurshme, librat e rëndësishëm, revistat e mëdhaja në përmasa.

Nuk ka si era e librit thonë të vjetrit, si shfletimi i letrës, si aroma që mban. Po mos vallë lexojmë njësoj dhe vetëm se e kemi spostuar vëmendjen nga leximi i gjatë i librit te leximi i shkurtër i telefonit po më i shpeshtë?

Njerëzit ndjekin modën e re, jo të vjetër. Sa do të përqeshej një njeri sikur të vishej në çdo kohë me fustanellë. Pse nuk vishet më me fustanellë i riu, çfarë të keqe ka është trashëgimi kulturore?!

Sumerët e mijëra vjetëve më parë ankoheshin se të rinjtë kanë dalë nga udha e zotit, nuk i respektojnë më vlerat e reja. Po çdo gjë e re mëkat ka qenë dhe është bërë e vjetër.

Ashtu dhe libri roman, prozë pa ndihmën e kishës nuk mund të funksiononte, ai quhej mëkat. Ashtu dhe djalli në shekullin e 20 u bë i mirë, po kush vallë do ngelej i keq?!

a woman using a smart phone

‘’Determinizmi teknologjik’’ ose teknologjia përparimtare po shkatërron copa-copa të vjetrën dhe ecën ajo në rrugën e saj, ecën e nuk përgjigjet për ‘’mëkatet’’ e saj. ‘’Shkatërrimi krijues’’ po hedh poshtë letrën dhe po sjell wordin, të gjithë po dashurohen pas kësaj shpikje të re. Secili mund të bëhet botues me kosto zero.

Secili mund të bëhet shkrimtar e ta ndajë me miqtë, nuk ka më censurë, nuk ka më filtër gazetarësh, nuk ka më anëndarje politike, instrumentalizim, ideologjizim dhe njëkohësisht ka rrëzik që vlera në funksion të së vjetrës ashtu si e quajmë ne deri tani si shoqëri të zhdrejtësohet.

Por gjithmonë në fillim zhdrejtësohet e më pas mëkati bëhet vlerë. Po a mos vallë ky zhdrejtësim ka qenë gjithmonë, që nga koha e sumerëve me alfabetin e parë në botë?!

Pra letra dhe libri janë në krizën e saj përballë teknologjisë që e zhvleftëson ashtu si do ajo.

Mos duhet të riformohemi?!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN