Ashtu siç e kishte paralajmëruar kryeministri Edi Rama i ka dërguar sërish Presidentit të Republikës Ilir Meta propozimin për emërimin e Sandër Lleshi ministër i Brendshëm.
“Sapo kam rifirmosur për ridërgim kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit Ministër i Brendshëm, drejtuar Presidentit të Republikës. Bashkëngjitur do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”, shkroi sot Rama në Twitter.
Ky ishte qëndrimi i shprehur dhe në mbledhjen e grupit të PS pak ditë më parë ku tha se “do t’i krijonin bindjen presidentit”.
Rama paralajmëroi gjithashtu se në ditët e ardhshme qeveria do t’i drejtohet dhe Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të kësaj çështje. Ndonëse kjo Gjykatë aktualisht është jashtë funksionit, kryeministri tha se në momentin që ajo do të plotësohet me anëtarë mund ta marrë në shqyrtim.