Pas ndeshjes së sotme Kukësi-Teuta zhvilluar në “Selman Stërmasi”, ku i pranishëm ishte edhe drejtori i Partizanit, Olsi Rama, numri një i të kuqve, në një intervistë për mediet shqiptare, “skanoi” kampionatin shqiptar, por foli edhe për gjendjen e stadiumit.
“Isha në stadium, pasi kam theksuar se ndeshjet duhet të kenë sa më shumë njerëz. Ishte një sfidë e rivalëve tanë në Tiranë dhe erdhëm të shihnim. Isha së bashku me trajnerin Gega dhe ky i fundit i studioi më shumë në aspektin teknik.
Merkato? Nuk ishte ky rasti për merkato. Ne kemi objektivat tanë që po i ndjekim me kujdes. Kemi skautët tanë që po i monitorjnë ndeshje pas ndeshjeje dhe në Maqedoni dhe Kosovë. Do të shohim lojtarë me përvojë dhe elementë të rinj. Po punojmë”.
Dueli Partizani-Skënderbeut – “Nuk ka luftë vetëm mes Skënderbeut dhe Partizanit. Kampionati është shumë i fortë, ka shumë javë. Një humbje mund të të fusë në një moment të keq. Ekipet janë aty, aty. Superiorja është e vështirë. Kemi për të luajtur më shumë se gjysmën e sezonit, prandaj nuk duhet të flasim para kohës”.
Flamurtari dhe Tirana – “Dua të theksoj se ky kampionat nuk ka ndeshje të lehta. E provuam ndaj Kastriotit në Fushë-Krujë se sa shumë vuajtëm, sigurisht dhe ndaj Laçit. Kurbinasit janë një ekip shumë kompakt. Takimi ndaj Flamurtarit është shumë i fortë.
Vlonjatët kanë traditë të madhe dhe një ekip simpatik. Derbi me Tiranën dihet pastaj s’ka nevojë për fjalë. Kuptohet që nga vëmendja e mediave, tifozëve dhe kryeqyteti pushtohet nga atmosfera. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të ecim përpara”.
“Selman Stërmasi” – “Më shqetëson tapeti, pasi kemi dhe eksperiencën e vjetshme. Në shkurt, apo në mars nga shirat e rrëmbyeshëm ishte thuajse e pamundur të luajte futboll. Me këtë ngarkesë mendoj se mund të shkojë në të njëjtën gjendje dhe sivjet.
Këta janë kushtet e Superiore dhe nuk kemi se çfarë të bëjmë. E rëndësishme është të luhen ndeshjet dhe shpresojmë që çdo ekip të ketë stadiumin e tij, dhe Partizani natyrisht”, – përfundoi Rama.