Rruga nga hyrja e Fierit, deri në Levan, prej vitesh është bërë si një nyje që e ka ndarë më dysh qarkullimin normal në korridorin mes veriut dhe jugut të vendit. Rruga e ngushtë dhe me kthesa shkakton trafik dhe qarkullim të ngadaltë të mjeteve. Ky problem është sidomos i mprehtë në sezonin veror, për shkak të qarkullimit të shtuar të mjeteve. Kjo situatë është krijuar sepse by-pass-i i Fierit, që duhet të lidhë rrugën Lushje-Fier me atë Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, ka ngelur pezull prej vitesh.
Pas zvarritjeve që po zgjasim afërsisht prej një dekade, qeveria po tenton edhe njëherë t’i japë fund ferrit të lëvizjes në këtë aks, duke rifilluar punimet për të ndërtuar bypass-in e Fierit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar firmosi të martën kontratën me kompaninë fituese “CGC, Combined Group Contracting”. Kontrata ka vlerën e afërsisht 38 milionë euorve. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se nga dita e sotme kompania kontraktore fillon punën në terren duke ringritur kantierin me objektivin për të bërë të kalueshëm bypass-in e Fierit në sezonin e ardhshëm turistik.
Ndërkaq, në ditët e ardhshme do të kryhet dhe firmosja e kontratës me kompaninë fituese të Bypass-it të Vlorës për të mundësuar edhe aty fillimin e punës.