Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov ka thënë sot se paparashikueshmëria e e Shteteve të Bashkuara po shkakton “shqetësim të thellë global”.
Peskov i bëri këto komente, dy javë përpara një takimi të pritshëm midis Putinit dhe Presidentit Donald Trump gjatë një takimi të G20 në Argjentinë.
“Fakti se Amerika është bërë e paparashikueshme kohët e fundit nuk është sekret për askënd”, tha Peskov për Dozhd TV, televizionin rus. “Një paparashikueshmëri e tillë nga vendi më i madh, ekonomia më e fuqishme në botë, është shqetësimi i thellë botëror,” tha ai.
Peskov nuk e kritikoi në mënyrë specifike Trump. Zyrtarët rusë kanë sugjeruar në mënyrë të përsëritur se Trump dëshiron lidhje më të mira me Rusinë por është duke u penguar nga kundërshtarët “rusofobik” në Amerikë.
Samiti i korrikut në Helsinki është i vetmi takim i mirëfilltë që presidentët e dy vendeve kanë mbajtur që kur Trump ka marrë detyrën në janar 2017. Presidenti amerikan ka thënë në mënyrë të përsëritur se dëshiron që marrëdhëniet me Rusinë të përmirësohen.
Gjatë gjithë udhëheqjes së tij ka patur tension të vazhdueshëm mes vendeve lidhur me disa çështje, duke përfshirë aneksimin e Krimesë në vitin 2014, rolin në luftërat në Siri dhe Ukrainën lindore, ndërhyrjen e dyshuar në zgjedhje dhe helmimin e një agjenti të dyfishtë rus në Britani.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj akuzojnë Rusinë se fshihet pas sulmit ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në qytetin anglez Salisbury. Pavarësisht provave të konsiderueshme, Moska mohon çdo përfshirje, gjë që çoi në sanksione shtesë të Bashkimit Europian mbi Moskën dhe dëbimet diplomatike të zyrtarëve rusë.
Duke përsëritur qëndrimin e Rusisë ndaj sanksioneve që janë imponuar, Peskov tha: “Ne nuk i njohim këto kufizime të njëanshme, dhe ne i konsiderojmë të paligjshme”. Ai tha se çdo sanksion i ri do të komplikonte më tej marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Trump nuk do të marrë pjesë në samitin e ASEAN dhe ka dërguar zëvendëspresidentin Mike Pence. Peskov tha se “asnjë takim i veçantë” nuk ishte planifikuar mes Putinit dhe Pence. Ai tha se nuk kishte nevojë për bisedime të tilla, sepse Putini dhe Trump do të takohen në samitin e G20 në Buenos Aires.