Ka bërë jo pak bujë lajmi i djeshëm i arrestimit të kapitenit në Partizanit, Alban Hoxha. Nuk është as i pari, por me gjasë as futbollisti i fundit që kapet në timon i dehur. Por para një ndeshje derbi, si ajo me Tiranën, lajmi ka bërë jo pak bujë.
Kapiteni i Partizanit rrezikon shumë: formacionin për derbin, heqje 8 ose më shumë pikë nga patenta dhe dënimin me 6 muaj burgim. Ligji përcakton se “Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”.
Mësohet se seanca gjyqësore për portierin e Partizanin është shtyrë për ditën e nesërme nga Gjykata, duke i kushtuar kapitenit të kuq edhe 24 orë të tjera në burg.
Pasi të ketë dalë para Gjykatës, duke parë rrethanat dhe masën e alkoolit, nga praktika që është ndjekur, i vendoset detyrim për paraqitje para oficerit të policisë gjyqësore dy herë në muaj ose edhe më shumë dhe më pas bëhet lirimi menjëherë nga ambientet e paraburgimit (në rast se nuk është përsëritës).
Pas kësaj vazhdojnë hetimet nga organi i akuzës dhe në këto raste zgjasin për 2-3 muaj. Pasi mbyllen hetimet, ku mund të bëhet një marrëveshje me pranimin e fajësisë përpara prokurorit të çështjes dhe më pas kjo marrëveshje e arritur miratohet para gjykatës.
Në të kundërt, i komunikohet akuza për çfarë akuzohet dhe më pas shkon në gjykatë ku bëhet gjyqi paraprak. Nëse çështja shkon me gjykim të shkurtuar dhe pranohet, personit që është kapur në gjendje të dehur i ulet automatikisht 1/3 e dënimit dhe hidhet përsëri për gjyq.