Natyrisht që vëmendjen kryesore e marrin këto dy ndeshje, për shkak të përbërjeve dhe yjeve që kanë, por nuk mbeten prapa edhe sfida të tjera, ku mund të përmendim Atletico Madrid-Dortmund.
GRUPI B
Inter-Barcelona do të luhet në orën 21:00, në “San Siro”. Barcelonës i mjafton 1 pikë dhe është e kualifikuar. Zikaltrit duhet të zhvillojnë një lojë të madhe kundër Barcelonës, me qëllim marrjen e tri pikëve, të cilat do t’i poziciononin matematikisht të parët e grupit B të Champions.
Interi ka fituar vetëm dy nga 11 sfidat kundër Barcelonës në garat europiane, duke i humbur dy më të fundit. Barcelona e ka mundur Interin gjashtë herë në garat europiane, por vetëm një herë në “San Siro” (4-2, në shtator 1959, në Kupën e Panairit).
Interi nuk e ka gjetur golin në gjashtë nga shtatë ndeshjet e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës (1 F, 2 B, 4 H), duke shënuar vetëm tre gola në total. Barcelona nuk ka fituar katër ndeshje kundër Interit në garat europiane (3 B, 1 H). Ajo ka humbjen më të fundit ndaj zikaltërve në prill të vitit 2010 (3-1, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve).
Interi ka fituar vetëm një nga tetë ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve kundër skuadrave spanjolle (3 B, 4 H); 3-1 kundër Barcelonës, në prill të vitit 2010. Barcelona është e pamposhtur në 11 ndeshje të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve (9 F, 2 B) dhe ka mbajtur kryesimin në nëntë prej tyre.
Vetëm një nga 20 ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve përfundoi në barazim (1-1 kundër Trabzonspor, në nëntor 2011), për zikaltrit, të cilët kanë 10 suksese dhe 9 humbje në këtë periudhë.
Mesfushori i Barcelonës, Philippe Coutinho, ka marrë pjesë aktive në 10 gola (në paraqitjet e fundit) të 7 ndeshjeve të fundit të Ligës së Kampionëve (6 gola, 4 asiste). Vetëm Edin Dzeko (14) ka tentuar më shumë goditje brenda zonës së penalltisë se sulmuesi i Interit, Mauro Icardi (11) në këtë Ligë Kampionesh.
Nëse te Barcelona do të mungojë për arsye lëndimi Lionel Messi, duke i përjashtuar golat e tij, argjentinasi ka shënuar 9 nga 13 golat e fundit të ekipit të tij në Ligën e Kampioneve.
Tottenham-PSV
Një sfidë kokë më kokë për vendin e tretë ndoshta (Europa League), më shumë se sa një mundësi për ta kaluar grupin. Londinezët duhet të fitojnë, për të shpresuar në një humbje të Inter dhe vetëm kështu mund të shpresojnë pastaj të kalojnë Interin në ndeshjen direkte në “Wembley”, por zikaltrit presin PSV-në në shtëpi dhe kanë shumë shanse.
GRUPI C
Një grup shumë i ekuilibruar. Duket se gjithcka do të ndahet në sfidën e mbrëmjes Napoli-PSG. Napoli ka 5 pikë në grup, ndërsa PSG ka grumbulluar 4 të tilla. Kush humb sonte, do ta ketë shumë të vështirë të kalojë grupin.
Para se të përballeshin në Paris, Napoli nuk kishte fituar tri ndeshje kundër PSG në garat europiane. Njëra prej tyre është humbja në shtëpi, në tetor 1992, në kuadrin e Kupës UEFA. PSG e mbajti portën të pastër në dy nga tri sfidat kundër Napolit, në garat europiane, duke përfshirë të vetmen e fituar në “San Paolo” (2-0, në tetor 1992).
Napoli është i pamposhtur në tri ndeshje të Ligës së Kampionëve (1F, 2B). Napoletanët nuk i kanë arritur kurrë katër ndeshje pa humbje në këtë garë. PSG ka shënuar të paktën një gol në të gjitha (19) ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve. Hera e fundit, që francezët mbetën pa gol në një ndeshje ishte humbja 0-1 nga Manchester City, në prill 2016.
Napoli nuk e ka gjetur golin vetëm në njërën nga 15 ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve (0-0, kundër Dinamo Kiev, në nëntor 2016). Skuadra italiane ka shënuar 31 gola në këtë periudhë (15 ndeshjet e fundit të Champions-it), ose mesatarisht 2.1 gola për ndeshje. Që nga fillimi i sezonit të kaluar të kompeticionit në fjalë, PSG ka shënuar 37 gola, ose mesatarisht 3.4 gola për ndeshje.
Lorenzo Insigne ka shënuar në të gjitha (4) ndeshjet e fundit të Napolit në Ligën e Kampionëve, duke pasur një ecuri të tillë më të gjatë se çdo lojtar tjetër në historinë e klubit napolitan në Champions. Tetë nga 12 golat e sulmuesit të PSG, Kylian Mbappe, në Ligën e Kampionëve, shënuar në transfertë (66%).
Sulmuesi i Napolit, Dries Mertens, ka marrë pjesë aktive në 13 gola, në 16 ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve, falë 8 golave të shënuar dhe 5 asisteve. Që nga debutimi i tij në Ligën e Kampionëve, në shtator 2013, Neymar ka shërbyer me më shumë asiste se çdo lojtar tjetër në Champions (19).
Crvena Zvezda-Liverpool
Për serbët duket një festë dhe shpresojnë ndonjë barazim historik, por për trajnerin Klopp është një ndeshje që vlen 3 pikë, pasi e di mirë që nuk do ta ketë të lehtë pastaj me Napolin dhe PSG-në. Të kuqtë nuk do të kenë Xherdan Shaqirin, por kjo nuk do të thotë se kanë probleme…
GRUPI A
Është pak a shumë e njëjta situatë si në Grupin B. Atletico Madrid kërkon hakmarrjen ndaj Dortmund, pas humbjes së thellë 4-0 dy javë më parë. Gjermanëve u mjafton një barazim për të kaluar grupin.
Monaco-Club Brugge është sfida për vendin e tretë. Francezët nuk po kalojnë një moment të mirë në kampionat, ndaj do të kërkojnë të ngushëllojnë tifozët me një fitore në Champions League. Të dy skuadrat kanë nga një pikë, në barazimin e regjistruar po mes tyre dy javë më parë.
GRUPI D
Edhe ky një grup shumë i ekuilibruar, por që duket se sonte do të vendosen shumë gjëra dhe pikërisht në ndeshjen Schalke-Galatasaray. Gjermanët kanë një pikë më shumë se turqit dhe fitorja thuajse i kualifikon për më tej. Barazimi ose fitorja e turqve lë gjërat të hapura.
Porto duket më komode, por nëse bën ndonjë gabim ndaj rusëve të Lokomotiv, mund të komplikonte gjithcka. Portugezët duken të motivuar, ndërsa rusët nuk kanë asnjë pikë dhe thuajse janë të dorëzuar.