MENU
klinika

Dossier

Taksa 100% Serbisë, përparësi për tregun Kosovë-Shqipëri

25.11.2018 - 13:41

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit mori vendim që ta rris taksën produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, nga 10 për qind sa ishte me vendimin e kaluar në 100 për qind, për produktet që hyjnë në Kosovë nga këto dy shtete.

Menjëherë pas mbledhjes, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se një vendim i tillë ka qenë i domosdoshëm dhe ka vlerësuar se shteti serb në vazhdimësi nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) në raport me Kosovën.

Tani ne kemi bërë një analizë të respektimit të Marrëveshjes së CEFTA-së nga Serbia dhe aty shihet që Serbia i ka vendosur vazhdimisht Kosovës një taksë jo-tarifore. Jo e njëjtë me këtë taksën e produkteve që i kemi vendosur ne. Serbia e ka penguar transportin e mallrave dhe kështu nuk e ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-së”, kishte thënë Haradinaj.

Ai në profilin e tij zyrtar në Facebook, tha se vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe ajo duhet zbatuar.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare. Po ashtu, qeveria e vendit obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë – institucionet relevante obligohen ta zbatojnë po ashtu menjëherë”, kishte shkruar ai.

Ministri kosovar i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në profilin e tij zyrtar në Facebook ka shkruar se ky vendim është për shkak të pengesave që i bënë Serbia, Kosovës e po ashtu edhe për fuqizimin e produkteve vendore.

Ne vazhdën e përpjekjeve tona për të fuqizuar prodhuesit vendorë , për të fuqizuar ekonominë dhe shtetësinë tonë, sot me propozim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, qeveria vendosi që ta ngris në 100 për qind taksën e importit ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ju ftoj të gjithëve, të nderuar qytetarë të vendit tonë, prodhues, tregtar, që t’i bashkëngjiteni kauzës tonë, për zhvillim të vendit, për rritjen e punësimit dhe mirëqenies për qytetarët tonë”, kishte shkruar ministri Shala.

Lidhur me vendosjen e taksës prej 100 për qind, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ku ka deklaruar se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, nëse shfuqizohet ky vendim.

Në çdo dialog ekzistojnë rregullat që të respektohet edhe pala tjetër. Presim nga Prishtina ta kryej punën e saj në mënyrë të civilizuar dhe të heq taksën. Kur ta bëjnë këtë, jemi menjëherë të gatshëm të vazhdojmë dialogun”, kishte thënë Vuçiç.

Më të butë ndaj Kosovës nuk kanë qenë as ndërkombëtarët.

Federica Mogherini si përfaqësuese e lartë nga Bashkimi Evropian dhe Misioni i UNMIK-ut kanë kërkuar që Kosova menjëherë ta tërheq këtë masë.

Në një njoftim, Mogherini ka thënë se vendimi i Kosovës shkelë Marrëveshjen e CEFTA-së por edhe MSA-në.

Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në 100 për qind, është shkelje e qartë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë CEFTA dhe frymës së MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Më tej ky vendim përkeqëson situatën pas taksës së parë prej 10 për qind javën e kaluara. Qeveria e Kosovës duhet ta revokojë menjëherë këtë vendim”, thuhej në njoftim.

Kurse në anën tjetër shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, tha se vendimet e tilla ndikojnë keq në raportet Kosovë-Serbi.

Ai kërkoi nga dy shtetet që të mos ndërmarrin veprime, që mund të ndikojnë në prishjen e stabilitetit.

Shprehim shqetësimin lidhur me ndikimin e mundshëm mbi popullin e Kosovës, dhe me implikimet e mundshme politike në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nga ky vendim. U bëjmë thirrje liderëve që të marrin në konsideratë interesat e njerëzve dhe ta ruajnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga UNMIK-u.

Konica.al

Por, cila do të jetë përparësia e vendosjes së kësaj takse për tregtinë Kosovë-Shqipëri?

Me 26 nëntor në qytetin e Pejës, do të bëhet takimi i pestë tradicional ndërmjet Qeverisë së Kosovë dhe asaj të Shqipërisë.

Qeveritë e dy vendeve shpesh kanë premtuar heqje të barrierave kufitare për tregtinë, ku që nga muaji janar i vitit 2014 kur është realizuar takimi i parë ndërmjet dy qeverive në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara në këto takime arriti në 43.

Zëvendëskryeministri i Kosovës për çështje ekonomike, Fatmir Limaj, ka thënë se me 26 nëntor shpreson që odat e biznesit të të dyja vendeve do të arrijnë marrëveshje.

Besoj që më 26 nëntor odat shqiptare do të arrijnë marrëveshje. Sepse nuk jemi të kënaqur me bashkëpunimin ekonomik Kosovë-Shqipëri. Në mesin e shumë çështjeve presin pret përgjigje edhe çështja e taksës rrugore në Rrugën e Kombit që është shumë e lartë. Kjo duhet të zbritet të mos behët kosto e lartë për bizneset e Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova është e gatshme për bashkëpunim ekonomik me Tiranë”, kishte thënë Limaj.

Ditë më parë, në Tiranë përfaqësues të bizneseve nga të dyja vendet, kanë kërkuar që të largohen barrierat dhe të bëhet unifikimi i tregut.

Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, në këtë takim kishte kërkuar që të largohen barrierat, ku bëri ftesë të gjithë prodhuesve nga Shqipëria që të rrisin prezencën e tyre në tregun e Kosovës.

Ndërsa, Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se kërkesat e prezantuara janë të trajtuara me shumë kujdes me mbledhje të shumta përgjatë këtyre dy viteve të fundit. Ai u shpreh që në mbledhjen e radhës e cila do të jetë më 26 nëntor, dëshiron që të vihet me një unifikim të tregut.

Raportet e fundit lidhur me tregtinë e jashtme, tregojnë një rritje të eksporteve nga të dyja vendet krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Vetëm në muajin e fundit, kompanitë kosovare në drejtim të tregut shqiptar eksportuan 6.3 milionë euro nga 5.8 milionë që ishte një vit më herët. Krahasuar me vendet e CEFTA-së, Shqipëria merr pjesë me 18.6 për qind të eksporteve, ndjekur nga Maqedonia me 10.4 për qind, Serbia me 8.2 për qind dhe Mali i Zi me 3 për qind, nga totali prej 41.1 milionë euro.

Gjatë vitit 2017, eksportet kosovare drejtë Shqipërisë kanë qenë 60.25 milionë euro.

Krahasuar nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017, bilanci tregtar i Kosovë me Shqipërinë ka një trend rritës, por njëkohësisht dhe negativ.

Në vitin 2005, eksportet kosovare në drejtim të Shqipërisë ishin 5.78 milionë euro, ndërsa importet ishin 18.1 milionë euro, pra më një ndryshim prej 12.31 milionë euro, kurse në vitin 2017 ky ndryshim ishte 91.56 milionë euro. Kosova, bilancin më të lartë tregtar kundrejt Shqipërisë e ka pasur në vitin 2015 ku arriti në 111.64 milionë euro.

Tregtia dhe turizmi janë bizneset më të shpeshta të bizneseve nga Kosova që veprojnë në Shqipëri, e njëjtë është edhe për ato shqiptare që veprojnë në Kosovë.

Bizneset nga Shqipëria të regjistruara në Kosovë që nga viti 2016 është 342, ndërsa bizneset nga Kosova që veprojnë në Shqipëri për këtë periudhë janë vetëm 206.

Pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet që vijnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është koha që për Shqipërinë dhe Kosovën të bëhet unifikimi doganor, largimi i barrierave tregtare dhe shtimi i bizneseve.

Ndërsa, për sa i përket ndikimit të kësaj takse në tregtinë Kosovë-Shqipëri do të jetë mjaftë i madh, pasi që të dyja vendet kanë një traditë të këmbimit qoftë në turizëm apo në tregti. /Konica.al/