MENU
klinika

Banesat sociale

Unaza e Re, zgjidhja si në…Gramsh?

25.11.2018 - 11:03

Për herë të parë, banorët e prekur nga një projekt madhor hidroenergjetik e kanë gjetur zgjidhjen tek strehimi në banesat sociale. Disa prej banorëve të fshatit Drizë që u zhvendosën nga projekti i ndërtimit të Kaskadës së Devollit janë strehuar në një pallat të ngritur enkas në qytetin e Gramshit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha se ky do të jetë një model edhe për trajtimin e banorëve në projektet publike në Tiranë, siç është Unaza e Madhe.

“Ne po ndërtojmë edhe shembujt konkret ku banorët që preken nga projektet publike do të gjejnë zgjidhje nëpërmjet pagesës dhe këtu i referohem edhe rastit të Unazës së Madhe të Tiranës. Do të trajtohen me tre vite qira të paguar nga Bashkia e Tiranës dhe mbështetur nga qeveria, siç është edhe rasti këtu në Gramsh që u paguan nga bashkia. Gjithashtu, do të shikohen me trajtim preferencial për banesa sociale ose kredi të buta për strehimin e tyre. Zgjidhjet nuk mungojnë, ne jemi duke i implementuar këto në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku preken nga projekte madhore. Mendoj se ky është një rast konkret që ky projekt mund të zbatohet edhe në Tiranë”, theksoi Gjiknuri.

Kryetarja e Bashkisë së Gramshit Luljeta Dollani gjithashtu tha se zgjidhja që u jepet banorëve të fshatit Drizë me këtë pallat me banesa sociale është optimale.

“Ne kemi dy vjet që këta qytetarë i trajtojmë me qira. Kemi hartuar të gjithë procedurën e nevojshme që ata të hyjnë në këto banesa të reja që me kënaqësi e konstatoj se është me standarde shumë të mira të ndërtimit. Besoj që edhe qytetarët do të ndjehen komod dhe mirë në këtë pallat”, nënvizoi Dollani.