MENU
klinika

Nga New York Times

A e ka marrë Makron mesazhin e “jelekverdhëve”?

13.12.2018 - 11:38

Udhëheqësi i ri arrogant i Francës ka dëgjuar zemërimin e qytetarëve të tij dhe ka filluar të përgjigjet.

Presidenti Emmanuel Macron bëri atë që duhej të bënte të hënën pas një muaji protestash masive, duke shkuar në televizionin kombëtar për të pranuar se ai nuk kishte aspak kontakt me shumë njerëz larg qyteteve të mëdha të Francës që po luftonin për ulje taksash dhe rritje të të ardhurave.

Për një president të ri, që erdhi në pushtet 19 muaj më parë, revoltat e “Jelekëve të Verdhë”, ishin moment tejet të vështira. Por ai nuk u dorëzua: Në asnjë moment nuk pati ndonjë shenjë se Macron kishte qëllim të hiqte dorë nga program i tij ekonomik.

“Jelekverdhët” janë kushërinjtë e britanikëve që votuan për Brexit, amerikanëve që votuan për Donald Trump, dhe polakëve, hungarezëve dhe italianëve që zgjodhën qeveritë populiste dhe antidemokratike.

Macron erdhi në pushtet si “antitezë” e populistëve, një i ri, me vetëbesim, i arsimuar, që besonte tek Bashkimi Evropian dhe filloi një program biznesi për të inkurajuar të pasurit dhe të fuqishmit për të risjellë dinamizmin dhe vrullin në ekonominë franceze.

Ai gjithashtu erdhi i bindur se francezët donin një president me një aureolë “Jupiteriane”, një etiketë që ai duhet ta kishte ditur do të bëhej tallje kur të ballafaqohej me trazirat sociale.

Ai gjithashtu duhet të ketë qenë i vetëdijshëm se reforma e tij për eliminimin e taksës për të pasurit ishte politikisht budallallëk.

Tani Macron këmbëngul se e ka marrë mesazhin e “jelekverdhëve” dhe do t’i kushtojë vëmendje qytetarëve të thjeshtë.

Nuk është e qartë nëse demonstruesit do të jenë të kënaqur. Dhe nëse protestat vazhdojnë, me siguri do të jenë të dhunshme.

Dhuna ka sjellë humbje të mëdha për tregtinë dhe turizmin në sezonin para Krishtlindjeve dhe lëshimet e qeverisë, duke përfshirë edhe anulimin e rritjes së çmimit të karburantit, do t’i kushtojë miliarda qeverisë.

Problemi është se përfitimet e politikave të Macron mund të mos jenë të dukshme menjëherë dhe “jelekverdhët” kërkojnë veprime të menjëhershme.

Me kancelaren gjermane Angela Merkel në muzg të saj politik dhe në Britaninë e Madhe në krizë nga Brexit, Macron duhet të bëhet udhëheqësi kryesor i Bashkimit Evropian. Kjo tani varet nga aftësia e tij për të menaxhuar protestat.

Dhe kjo varet nga mënyra se si do të vazhdojnë të sillen “jelekverdhët”. Deri më tani lëvizja nuk ka rënë pre e ideologjive të së majtës apo të së djathtës ekstreme, dhe pavarësisht nga dhuna, një shumicë e madhe ka mbetur mjaft e moderuar në kërkesat e saj.

Macron bën mirë të zbresë nga parajsa për të treguar se është penduar. Por ai nuk duhet të ndalet këtu: Ai duhet të dëshmojë se me të vërtetë e ka kuptuar zemërimin dhe indinjatën e popullit dhe që tani e tutje ai dhe qeveria e tij do t’i dëgjojnë ata dhe do ti kushtojnë më shumë vëmendje…

New York Times