MENU

Shqetësimet e Ministrit të Financave

‘Jelekverdhët’, katastrofë ekonomike për Francën

09.12.2018 - 16:27

Protestat e “jelekverdhëve” kanë qenë “një katastrofë” për ekonominë franceze, thotë ministri i financave.

Franca ka kaluar katër javë të njëpasnjëshme demonstrata kundër rritjes së taksave të karburantit, kostos së lartë të jetesës dhe çështjeve të tjera.

Rreth 125,000 protestues dolën në rrugë të shtunën, dhe më shumë se 1,700 njerëz u arrestuan. Disa vende turistike, duke përfshirë Kullën Eifel dhe Muzeun e Luvrit, janë mbyllur këtë fundjavë.

Ministri i Financave Bruno Le Maire e quajti situatën “një krizë” për shoqërinë dhe demokracinë. “Kjo është një katastrofë për tregtinë, është një katastrofë për ekonominë tonë”, tha ai gjatë një vizite në dyqanet në Paris që ishin dëmtuar gjatë protestave.

Kryeqyteti ishte veçanërisht i goditur rëndë, me dritare të shkatërruara, makina të djegura dhe dyqane të grabitura, pasi 10,000 vetë morën pjesë në demonstrata.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian u përgjigj me zemërim ndaj Presidentit të SHBA Donald Trump, i cili të shtunën në Twitter thoshte se Marrëveshja e Klimës së Parisit ishte arsyeja e trazirave.

Është shumë herët për të llogaritur dëmet ekonomike në total, por është e qartë se dëmi është i rëndë.

Gazeta “Le Parisien” raportoi se në kryeqytet u dogjën rreth 50 automjete dhe dhjetëra biznese u dëmtuan, dhe disa prej tyre u plaçkitën. Ndërkohë, autoritetet në Paris thonë se trazirat kanë shkaktuar miliona paund dëmtime.

Lëvizja filloi si një protestë kundër rritjes së taksave të naftës, e cila është përdorur gjerësisht nga shoferët francezë dhe ka qenë prej kohësh më pak e taksueshme se llojet e tjera të karburantit.

Macron fajësoi çmimet botërore të naftës për tre të katërtat e rritjes së çmimeve, por tha se taksat më të larta për lëndët djegëse fosile ishin të nevojshme për të financuar investimet e energjisë së rinovueshme.

Protestuesit dolën në rrugë duke veshur xhaketa të verdha të dukshme që kërkohen të mbahen në çdo automjet nga ligji francez.

Por protestat kanë shpërthyer gjithashtu mbi çështje të tjera, duke përfshirë thirrjet për paga më të larta, taksa më të ulëta, pensione më të mira dhe kërkesa më të lehta për hyrjen në universitet.

Ndërkohë, vlerësimet për Presidentit Macron kanë rënë në 23% sipas sondazheve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Protesta për rritjen e çmimit të karburantit

Protesta në Francë/ një i vdekur, dhjetëra të plagosur

Protestat e ‘jelekëve të verdhë’

Kryeministri francez ndalon rritjen e taksës së naftës