MENU
klinika

Eliminatoret e “Euro 2021”

Alban Bushi: Kosova? S’do jetë vëllazërore

13.12.2018 - 22:08

Edicioni i ardhshëm i përfaqësueses Shpresa në eliminatoret e Europianit vë Shqipërinë përballë emrave të cilët padyshim do të ngjallin kuriozitetin e tifozerisë shqiptare, Kosovën e Anglinë. Por për trajnerin Alban Bushi, sfida që do ta emocionojë më shumë është ajo ndaj Turqisë.

“Për Turqinë ishte diçka ndryshe për mendimin tim, më erdhi ndjenjë e mirë. Kjo pasi kam kaluar një pjesë të madhe të karrierës atje, se kam luajtur gati 7 vjet. Jam shumë mik me trajnerin turk, ndenjëm e bashkë e folëm goxha për ekipet tona dhe për ndeshjet”, – tregoi trajneri U21 për “SuperSport”.

Sa i përket Kosovës, ai e sheh si ndeshjen e radhës që luhet për t’u fituar dhe peng ka vetëm faktin se përballë si kundërshtarë do të ketë lojtarë të cilët kanë refuzuar të veshin fanellën kuqezi.

“Kosovën e prita si gjithë ekipet e tjera, pavarësisht se jemi shqiptarë dhe do të jetë një ndeshje e luftuar nga të dy ekipet. Shpresoj të fitojë më i miri. Janë shumë lojtarë që ka Kosova që na kanë refuzuar, 3-4 thanë në fillim që do të vinin dhe pastaj zgjodhën Kosovën, duhet respektuar zgjedhja e tyre.

Do të bëhet ndeshje e fortë, shpresojmë të fitojë më i miri. Që do të jetë ndeshje e ashpër as nuk diskutohet, jam i unë i pari që kërkoj ashpërsi, kundrejt çdo kundërshtari. Por nuk është se e kërkoj ndaj Kosovës, lojtarët e dinë vetë se çfarë duhet të bëjnë në atë ndeshje dhe ajo është si të gjithë të tjerat, për t’u fituar”, – tha Bushi.

Trajneri thotë që gjithçka është e hapur, por beson se ka një grup konkurrues që mund të bëjë mirë në këto eliminatore. “Çdo gjë mund të ndodhë, janë mosha të vogla. Anglia është kokë e grupit e mendoj do të dalë në vendin e parë, por prapë nuk i dihet, edhe Spanja na mundi vetëm në minutën e 85-të.

alban bushi dhe erdis cepele konference per shtyp fshf
alban bushi dhe erdis cepele konference per shtyp fshf

Ne kemi një grup shumë të mirë në datëlindjet e këtij edicioni, shpresojmë të vazhdojnë të luajnë rregullisht e të kenë minuta në këmbë. Kemi sulmues të mirë, për shembull është Vrioni që është te ekipi i parë.

Mendojmë të jemi pretendent, këtë vit shpresojmë të bëjmë më mirë se thuajse 70% e skuadrës kanë luajtur me ne edicionin e kaluar dhe do të jenë përsëri. Kështu ne do të jemi ekip i shumë i fortë për të gjithë ekipet, edhe për Anglinë”, – ishte premtimi i Bushit i cili justifikon rezultatet e dobëta të edicionit të kaluar me mungesën e lojtarëve të cilët kanë kaluar në ekipin A.

“Pas ndeshjes së 5 çuam 4 lojtarë në ekipin A: Ramadanin, Abazajn, Ndojin dhe Manajn. Me ata do të mund të kisha rezultate më të mirë, se i kishim bazë të ekipit. Por gjithsesi është diçka e mirë që shkojnë me ekipin e parë,  por mendoj të forcohen më shumë me U-21 se kanë më shumë eksperiencë e minuta në këmbë.

kombetarja U21
kombetarja U21

E kuptoj edhe Panuçin, se ai nuk ka pasur shumë lojtarë, i ka pasur të dëmtuar. Objektivi është të shkojnë sa më shumë lojtarë lart, pa harruar lojën e mirë, grintën që duhet të kenë, që kur të shkojnë lart, ata të jenë gati”, – përfundoi Alban Bushi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN