Nuk ka famën e basketbollistëve si LeBron James apo Stephen Curry, por është po aq i zoti në NBA, sidomos në gjuajtjet nga distanca, ato për 3 pikë. Basketbollist italian Marco Belinelli ka vendosur sot një rekord të ri në basketbollin amerikan.
Italiani 32-vjeçar aktualisht luan me skuadrën e San Antonio Spurs. Për të ky është një rikthim te skuadra e Spurs, ku ka luajtur edhe më parë (2013-015, kur dhe ka fituar një titull kampion), ndërkohë që në 12 sezone që luan në NBA ka veshur fanellën e 9 ekipeve.
Pikërisht kjo lëvizje e tij në disa ekipe e bën atë të “veçantë”, pasi është basketbollisti i parë në historinë e NBA-së që realizon të paktën 50 tripikësha me secilin nga 9 ekipet ku ka luajtur.
Në karrierën e tij në NBA, përveç ekipit aktual të San Antonio, Belinelli është aktivizuar edhe me Golden State, ku dhe ka debutuar e më pas me Toronto, New Orleans, Chicago, Sacramento, Charlotte, Atlanta dhe Philadelphia. Por aftësia e tij për të qenë një shënues i mirë nga distanca nuk ka ndryshuar asnjëherë.