Masakra e ndodhur dje në Elbasan ku mbetën të vdekur tre persona si pasojë e breshërive të automatikëve ndaj tyre, ka nxjerrë në pah sot detaje të tjera të rëndësishme.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të shtunës rreth orës 21:15 në rrugën Elbasan-Ish Kombinati Metalurgjik pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit.
Për pasojë në atentat humbën jetën Endrit Alibej, 34-vjeç dhe Arben Dylgjeri, 56 vjeç, xhaxha e nip, të dy nga Elbasani si dhe shtetasi Erdal Duranay, 51 vjeç nga Turqia.
Mësohet se makina ka marrë 18 plumba në krahun ku ndodhej 34-vjeçari dhe 7 në sediljen e pasme ku gjendej turku.
Tre viktimat kishin vetëm pak ditë që kishin ardhur në Shqipëri. Po ashtu bëhet e ditur se shtetasi turk jetonte në Rumani, ndërsa Endrit Alibej kishte shumë kohë që nuk ishte kthyer në vendlindjen e tij.
Nga hetimet e deritanishme, ka dyshime se objektivi kryesor i atentatit të mbrëmshëm rezulton se ka qenë pikërisht 34-vjeçari Endrit Alibej me të kaluar kriminale jashtë Shqipërisë.