Dopieta e Gnabry i ka dhënë suksesin skuadrës së Bayern Munchen në transfertë ndaj Werder Bremen, teksa bavarezët kanë fituar 2-1, duke iu rikthyer suksesit pas 3 ndeshjesh. Por Dortmund nuk ësht ndalur, duke fituar 2-0 në shtëpi me Freiburg dhe vijuar kryesimin me 9 pikë para Bayern.
Bavarezët e nisën shumë mirë ndeshjen duke ushtruar presion ndaj vendasve. Pas disa mundësive të rrezikshme, Serge Gnabry kalon miqtë në avantazh në minutën e 20’. Pas një vertikalizimi të bukur të Kimmich, sulmuesi i talentuar gjerman dërgon topin në rrjetë në tentativën e dytë.
Por Werder reagon dhe gjen golin e barazimit 33’ me Yuya Osako i cili kërcen mbi të tjerët brenda zonës duke goditur në mënyrë të përsosur topin. Pesë minuta më pas Niko Kovac duhet të bëjë një zëvendësim të detyruar pas dëmtimit të Franck Ribery, në vend të tij futet Kingley Coman, i cili kishte që prej ndeshjes së parë të sezonit që nuk luante për shkak të një dëmtimi.
Pas pushimit gjithçka rifillon nga zero, por Gabry kalon sërish në avantazh kampionët në fuqi në minutën e 50’. Këtë herë ai shërbehet nga Thomas Muller brenda zonës dhe nuk fal një mundësi shumë të thjeshtë.
Ndeshja mbetet e hapur për të dyja skuadrat me mundësi shënimi si për vendasit ashtu edhe për miqtë. Por rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund dhe Bayern mund t’i gëzohet tre pikëve.
Ndërkohë, Borussia Dortmund ka marrë tre pikët në fitoren 2-0 ndaj Freiburg brenda në shtëpi. Ishte një tjetër sfidë delikate për të Verdhët që kanë vuajtur të sigurojnë para kohe fitoren dhe duhet të luanin të përqendruar deri nëgolin e minutave të fundit të shënuar nga Alcacer.
Ishte Marco Reus ishte ai që i dha avantazhin nga pika e bardhë e penalltisë vendasve në minutën e 40’ të pjesës së parë. dhe Alcacer vulosi fitoren në fund të takimit. Me këtë fitore, Dortmund ruan avantazhin ndaj ndjekësve.