MENU
klinika

Te pragu i 123 lekëve

Euro “kthehet” në vitin 2008

19.12.2018 - 15:13

Euro po i afrohet përditë pragut të 123 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të mërkurën me 123.08 lekë, niveli më i ulët i dhjetë viteve të fundit. Hera e fundit që kursi kishte prekur një nivel më të ulët ishte fundi i dhjetorit të vitit 2008.

Ekspertët e kursit të këmbimit valutor shprehen se rënia e vazhdueshme e euros është pjesë e një procesi që vazhdon prej dy vjetësh dhe që po ndikohet si nga oferta e lartë e euros në treg, ashtu edhe nga kërkesa e moderuar për të.

Përtej faktorëve të përkohshëm, ky cikël që zgjat prej më shumë se dy vjetësh duket se ka baza në fondamentet ekonomike dhe sidomos në përmirësimet në bilancin e pagesave.

Investimet e huaja direkte kanë arritur nivel të larta në vitet e fundit, ndërsa flukset valutore hyrëse janë shtuar falë rritjes së të ardhurave nga turizmi dhe nga në rimëkëmbje e pjesshme e remitancave. Edhe bilanci tregtar i vendit është në përmirësim, me një deficit tregtar në rënie edhe për këtë vit.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë e frenoi rënien gjatë muajve të verës, ndërsa gradualisht Banka Qendrore është tërhequr, duke i hapur rrugë plotësisht mekanizmave të tregut.

Banka e Shqipërisë po vazhdon ndërkohë me ankandet për blerjen e euros me qëllim rritjen e rezervës valutore, por, këto ankande nuk kanë frekuencë të shpeshtë dhe kanë një ndikim modest në kursin e këmbimit.

Ekspertët mendojnë se tendenca e kursit të këmbimit edhe gjatë javëve në vazhdim do të jetë e ngjashme dhe gjasat janë për një zhvlerësim të ngadaltë të euros.

Megjithatë, ata shprehen se ky zhvlerësim nuk do të ketë përmasa dramatike, ndërkohë që nuk priten ndikime shumë të mëdha as nga faktori sezonal.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN